Nga Anri Bala
Tre persona banues në Shkodër, të cilët u arrestuan pak ditë më parë pasi u prezantuan si punonjës të shtetit, kishin tentuar që t’i vendosnin gjobë disa bizneseve. Dy operacionet, si ai “Signal” edhe “Subjekti”, që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin për personat e arrestuar, por e kanë skemën krejtësisht të ngjashme.
Personat në fjalë, kontaktin e bënin përmes aplikacioneve Signal dhe Telegram, të cilët japin mundësinë që të mos shfaqet numri i celularit, por vetëm emri.
Emrat që prezantoheshin si hetimi tatimor, hetimi doganor, antikontrabanda, kryetar bashkishë, drejtues të policisë apo të prokurorisë, si OPGJ ose drejtues të institucioneve të hetimit, gjurmimit dhe të shumë instuticioneve tjera të rëndësishme në vend.
Ulërima dhe tmerri nuk është te pasiguria dhe jeta e rrezikuar e atyre që mbajnë me taksat e tyre ngrehinën shtet, por si është e mundur se ky fenomen kriminal ndodh vetëm në Shqipëri? Si kanë lindur këto krime që do çudisin edhe një qytetar nga vendet e botës së tretë? Kjo ka vetëm një arsye: Këto nuk kanë lindur por janë aktor kriminal, që imitojnë atë që ndodh çdo ditë në këtë vend prej 30 vitesh gjobëvënie kërcënime dhe grabitje në emër të shtetit.
Të gjithë bizneset paguajnë dhe gjobëvënsave tagrambledhës as që ju lëviz qerpiku, madje majmen dhe forcohen në mënyrë të frikshme. Punonjës tatimor, doganor, kontrollor të shkolluar në shkolla të çuditshme, që pak njerëz e kuptojnë shkollimin që kanë, e këta janë pjesa më e turpshme që gjobvënësit kanë imituar deri tani.
Kopjimi i fenomenit, duhet ta frikësoi çdo qytetar që jeton në shtetin e maskarenjve, e që nuk jep asnjë shpresë por vetëm deliron si breshka që mendoj se është bërë shqiponjë.
A pyet ndonjëherë kryeqeveritari, se përse bizneset paguajnë gjoba vetëm me një telefon të aktorëve imitues të administratës?! Përgjigjia është turpëruese… sepse me shpikjet e kopilave të administratës së tij, vetëm nga zyra jepen miliona gjoba për piranjat e shtetit.
Nëse tatimori, doganieri, kontrollori përfaqësuesi i shtetit nuk të vjen, se kështu është urdhëruar, ai të masakron pa të parë, pa të takuar por duke shkruar nga zyra dhe duke të frikësuar, e sigurisht që tregëtari i vogël apo i madh duhet të vrapoj për të paguar haraçin te tagrambledhsat taksaxhinj, për të ulur shkallën e grabitjes, gjobitjes dhe shkatërrimit, sepse shteti ka vdekur.
Kjo është administrata më turpëruese që ka paatur ndonjëherë ky vend… administrata e “shkallabanëve, palaçove, lypësve e rrufjanëve”.
Kryeshtetari duhet t’i lërë lavdet për policinë se ka arrestuar tre, gjashtë apo nëntë aktor që imitojnë gjobaxhijtë e shtetit dhe të bëjë shtet duke e pastruar këtë vend nga kjo administratë hajdutësh dhe gjobëvënësish dhe të largoi gjithë miqtë, kushërinjtë dhe farefisin e kryshërbëtorëve të tij nëpër ministrira dhe dikastere qëndrore.
Këta nuk janë as tre, as gjashtë, as nëntë por qindra e për të mos t’ia ngrënë hakun mijëra.
Kjo do i shpëtonte bizneset por edhe shqiptarët dhe Shqipërinë nga damka 30 vjeçare e korrupsionit.
Kjo do të shpëtonte edhe kryeministrin për të mos i dhuruar vendit një “non grata” të dytë si Sali Berisha nga SHBA.
Vitet ikin shpejt dhe kryeqeveritarë të përjetshëm nuk ka… veçse në diktaturë, e shqiptarët kanë një kufi durimi dhe një reagim për diktaturat, edhe nëse janë prej bronzi!/Ekskluzive.al