Gara për kreun e BKH, ka arritur në një pikë kulmore.
Testin e poligrafit, ose “makinën e së vërtetës” e kanë kaluar vetëm 2 nga 8 kandidatë që garojnë për Byronë Kombëtare të Hetimit.
Burime të besueshme brenda SPAK, bëjnë të ditur për RTSH, se të dy kandidatët e kanë kaluar plotësisht testimin.
Të dy të përzgjedhurve do t’u verifikohet edhe për pasurinë e më pas rezultatet do t’i dërgohen Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Testi i “makinës të së vërtetës” zgjati për 4 ditë dhe seancat u zhvilluan pranë SHÇBA-së te ministria e Brendshme.
Të testuarit ishin të gjithë figura të njohura të Policisë së Shtetit, por edhe jashtë saj.
Por edhe pas përzgjedhjes së kreut të BKH, struktura duhet të plotësohet me 60 anëtarë të tjerë në mënyrë që të fillojë punën.
Si funksionon poligrafi, makina e së vërtetës
Poligrafi ose makina e së vërtetës është një instrument që zbulon përgjigjet e gënjeshtra të personit në testim, bazuar në ndryshimin e parametrave truporë të tij.
Pajisja mat presionin e gjakut, pulsin, frymëmarrjen si edhe djersitjen, ndryshime fiziologjike që sipas ekspertëve ndodhin në trup nga gjendja e ankthit kur i intervistuari thotë fakte të pavërteta.
Të gjitha këto të dhëna përmblidhen në një raport grafik, që vë në dukje momentet kur fiziku i të intervistuarit ka reaguar.
Poligrafi daton që në vitin 1913. Ndër vite, ai ka ardhur duke u përmirësuar, deri në variantin e sotëm, një pajisje e dixhitalizuar. Testi i makinës së të vërtetës është përdorur gjerësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për testimin e punonjësve të rinj të organeve ligjzbatueses si edhe në hetime penale, por edhe në shtete të tjera si Rusia, Mbretëria e Bashkuar apo Japonia.
Testimi përmes poligrafit nuk është i gjithëpranuar, për shkak se gjatë përdorimit të tij janë shënuar raste kur personat, që mund të mbanin nën kontroll ankthin, kanë mundur ta mashtrojnë pajisjen.