Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur punën për t’i dhënë fund kaosit në gjykatat dhe prokuroritë e vendit. Që prej vitit 2015 nuk ka pasur asnjë inspektim në sistemin e drejtësisë, duke bërë që gjyqtarët dhe prokurorët të marrin vendime sipas qejfit. Pak ditë më parë u zgjodh Artur Metani në krye të ILD, i cili do të hapë një sërë vendimesh dhe ankesash që kanë mbërritur për njerëzit e drejtësisë, çka do të sjellë edhe pezullim të gjyqtarëve apo prokurorëve që kanë marrë vendime të kundërligjshme.
Por denoncimet nga qytetarët janë të shumta dhe kjo gjë ka sjellë që Metani të kërkojë një gjyqtar dhe një prokuror për asistencë që të zbulojnë skandalet. Përmes një letre, kreu i ILD i është drejtuar fillimisht KLP dhe pritet që në ditët në vijim t’i dërgojë një letër të ngjashme edhe KLGJ.
Metani i ka kërkuar Këshillit komandimin e një prokurori me mandat 5-vjeçar për asistencë pranë ILD. “Të nderuar anëtarë të Këshillit, në mbështetje të nenit 53 pika 2 dhe të nenit 54 të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe në funksion të përmbushjes së detyrave kushtetuese të zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke parë si emergjente mungesën e burimeve njerëzore, me qëllim plotësimin e organikës së institucionit, i kërkoj Këshillit të Lartë të Prokurorisë të vlerësojë nisjen e procedurave për komandimin e një magjistrati pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për një periudhë 5-vjeçare”, thuhet në letrën që Artur Metani i ka dërguar Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në ditët në vijim pritet që të mblidhet edhe KLGJ për të marrë në shqyrtim po të njëjtën kërkesë të Artur Metanit, pra për komandimin e një gjyqtari pranë ILD. Pranë KLGJ dhe KLP kanë mbërritur denoncime të përsëritura nga qytetarët, të cilët me prova dhe fakte vërtetojnë shkeljet dhe abuzimet në krye të detyrës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kushtetuta e Shqipërisë ka përcaktuar qartë se KLGJ është organi i cili duhet të kontrollojë dhe të marrë masa disiplinore ndaj gjyqtarëve, ndërsa KLP ndaj prokurorëve. Por duke u bazuar në nenin 147/d të Kushtetutës theksohet se është Inspektori i Lartë i Drejtësisë ai i cili nis procedurat për masat disiplinore për magjistratët të cilët janë kapur në shkelje.
Reagon Gent Ibrahimi
Kreu i KLP, Gent Ibrahimi deklaroi se kërkesa e Artur Metanit është një kërkesë për një nevojë emergjente, duke shtuar se komandimi i prokurorëve është një taktikë e njohur për Këshillin. Gjatë fjalës së tij në mbledhje, Ibrahimi u shpreh se komandimi i prokurorëve është i parashikuar në ligj dhe si i tillë i jep mundësi KLP të komandojë prokurorë në institucionet e tjera të drejtësisë. “Zoti Metani kërkon komandimin e një prokurori që të shërbejë në kabinetin e tij, përmes procedurës së komandimit dhe kjo është një procedurë që ne e kemi praktikuar të paktën në dy raste teksa kemi komanduar 6 prokurorë pranë KLP dhe 3 prokurorë të tjerë pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Është një instrument që ligji e parashikon si të tillë dhe na jep neve mundësinë që të evakuojmë burimeve njerëzore prokurorë pranë institucioneve të tjera të drejtësisë.
Ne si Këshill përpiqemi të jemi dorështrënguar në këtë pikë duke pasur parasysh rënien e burimeve njerëzore brenda sistemit, për shkak të faktorëve të ndryshëm si vetingu, dorëheqja etj., e në këto kushte edhe zoti Metani ka zhvilluar ndjeshmërinë e tij për problemin që ne kemi në vijimësi dhe na kërkon shumë pak për momentin. Kjo është një kërkesë për një nevojë emergjente”, u shpreh kreu i KLP Gent Ibrahimi.