Në rastin e ditëlindjes së 54-të të ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili po mbahet në paraburgim në Dhomat e Specializuara, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, në një formë të veçantë i ka organizuar një festë me bashkëqytetasit e Skenderajt.
“Në shenjë simbolike si formë e mbështetjes ndaj Presidentit Hashim Thaçi, sot në ditëlindjen e tij të 54-të, bashkë me Rininë Demokratike në Skenderaj dhe me qytetarë të shumtë, premë një tortë me fotografinë e Presidentit, e cila përqon mesazhin që qytetarët nuk e harrojnë asnjëherë kontributin e tij të jashtëzakonshëm për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, shkroi Lushtaku në Facebook.
Politikanë të shumët kosovarë i kanë uruar ditëlindjen e 54-të ish-presidentit i cili po ballafaqohet me akuza për krime lufte në Hagë, së bashku me ish-kryekuvendarët, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.