Gjyqtarja e Apelit Fatmira Hajdari, bashkëshortja e Azem Hajdarit, duket se i ka ditët e numëruara në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Zonja Hajdari u paraqit sot para Komisionit të Vetingut, për t’u njohur me rezultatet e hetimit 19-mujor për ligjshmërinë e pasurive dhe pastërtinë e figurës.
Në bazë të rezultateve të hetimit, të monitoruara nga eksperti ndërkombëtar Theo Jacobs, gjyqtarja Hajdari nuk justifikon një pasuri me vlerë rreth 470 mijë dollarë. Zonja Hajdari u mbrojt kryesisht duke fajësuar të birin, me dhembshurinë e politikanëve dhe disa biznesmenëve që e kanë ndihmuar për shkak të fatkeqësisë, me harresa dhe kushtet e vështira të jetesës për vrasjes së Azem Hajdarit.
Seanca zgjati mbi 4 orë, ndërsa vendimi i shkallës së parë të Vetingut për fatin e Fatmira Hajdarit do të shpallet në 18 qershor.
Komisioni i Vetingut zbuloi tre pasuri të fshehura nga Fatmira Hajdari. Gjyqtarja nuk kishte deklaruar një ullishtë me sipërfaqe 950 metra në Durrës, blerë 2002 për 800 mijë lekë dhe të shitur më vonë për 1.5 milionë lekë. Hajdari nuk ka deklaruar edhe një apartament më sipërfaqe 128 m2, me vlerë 60 mijë euro.
Gjithashtu, zonja Hajdari nuk kishte deklaruar disa kuota në një kompani që një biznesmen, dashamirës i Azem Hajdarit, i kishte dhuruar djalit të gjyqtares, me vlerë 1 milionë lekë. Për ullishtën zonja Hajdari tha se kishte harruar, për apartamentin tha se kontrata ishte anuluar, ndërsa për aksionet tha se i biri nuk i kishte treguar. Komisioni i Vetingut i hodhi poshtë këto pretendime.
Zbardhet misteri i pallatit 10-katësh
Gjatës seancës maratonë të ditës së sotme është zbardhur edhe misteri i pallatit 10 katësh në Tiranë i Fatmira Hajdarit. Shqiptarja.com e ka pasqyruar fillimisht këtë pasuri të pazakontë dhe të rrethuar me paradokse, pasi nuk kishte të dhëna se si ishte përfituar.
Nga leximi i dosjes së pasurisë doli në pah se pallati kishte nisur të ndërtohej 8 vite më parë në zonën e njohur si ‘Vilat Gjermane’ në Tiranë. Pallati kishte nisur të ndërtohej pa leje. Fillimisht janë ndërtuar 5 kate dhe më pas zonja Hajdari ka lidhur një kontratë me një biznesmen, për të ndërtuar 5 katet e tjera. Nga kjo marrëveshje zonja Hajdari do të përfitonte gjysmën e ndërtesës, konkretisht 12 apartamente dhe tre njësi shërbimi.
Fillimisht, në vendin ku është ndërtuar sot pallati, gjyqtarja Fatmira Hajdari ka pasur në pronësi një truall 549 m2 si dhe një banesë. Këtë pasuri e ka blerë nga Enti Kombëtar i Banesave, pra si e pastrehë. Më pas këtij trualli i ka shuar edhe 145 m2 me anë të një procesi gjyqësor dhe 150 m2 të tjera përmes legalizimit. Në fund ka siguruar 900 m2, ku i biri ka nisur ndërtimin e pallatit pa leje.
Si burime të ardhurash për të nisur pallatin, Fatmira Hajdari ka deklaruar 139 mijë euro nga shitja e investimit në një lokal në Qytetin Studenti që i biri e ka marrë nga shteti dhe rreth 240 mijë euro nga një ndërtues, dhënë në mirëbesim, në formë kliringu, bazë materiale.
Trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja thanë se nuk kishe asnjë dokument për ‘kontributin’ e biznesmenit si dhe vuri në dyshime të ardhurat nga shitja e investimit ndaj i biri. Dy probleme të tjera ishin se zonja Hajdari kishte përvetësuar pronë shtetërore dhe se nuk e kishte deklaruar pallatin pa leje.
Ajo tha se prona shtetërore i takonte asaj pasi sipas ligjeve e kishte pasur në përdorim për një kohë të gjatë dhe e se kishte rrethuar. Ndërsa për pallatin që nuk e kishte deklaruar pa laje, tha se ‘ne nuk e dinim nëse do të arrihej të ndërtohej dhe morëm parasysh rrezikun se mund të prishej’.
Dyshimet e forta për lokalin e të birit
Për të ndërtuar pallatin, përveç ‘dashamirësisë’ së biznesmenëve, Fatmira Hajdari ka deklaruar edhe shitjen e një aktivitet biznesi nga i biri me vlerë 168 mijë euro. Po nga dolën këto para? Zonja Hajdari deklaron marrjen e një kredie në vitin 2007 me vlerë rreth 170 mijë dollarë, për të kryer një investim në një lokal në Qytetin Studenti dy vite më vonë, në vitin 2009.
Lokalin e ka marrë me qira nga Ministria e Ekonomisë. Këtu ndërhyri Theo Jacobs, i cili vuri në dukje me ironi se kredia 19 milion lekë ose rreth 170 mijë dollarë ishte marrë në vitin 2007, ndërsa kontrata e qirasë me Ministrinë e Ekonomisë ishte nënshkruar në vitin 2009. “Unë nuk besoj te sferat magjike”, tha Jacobs.
Komisioni i Vetingut ngriti dyshime të forta që kredia ishte përdorur për lokalin, pasi mungonin preventivët për ndërhyrjen. Nga hetimet doli gjithashtu se nga lokali nuk ishin gjeneruar fitime. KPK-ja vuri gjithashtu në dyshim shitjen e investimit për 168 mijë euro. Në këto momente ka ndërhyrë sërish vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs, i cili ironizoi gjyqtaren Fatmira Hajdarin, duke i thënë se ‘kam lexuar dosjen e Hajdarit të dielën pasdite duke anuluar planet e tjera”.
Implikon Ilir Metën
Në rrëfimin e saj për të justifikuar pasurinë, zonja Hajdari ka implikuar edhe ish-kryeministrin Ilir Meta. Zonja Hajdari ka deklaruar se në vitin 2000, kryeministri i asaj kohe, i kishte bërë një vizitë për ngushëllim në shtëpi. Edhe pse nuk e përmendi emrin, dihet se në vitin 2000, kryeministër ka qenë Ilir Meta. Ky i fundit i kishte ofruar zonjës Hajdari një kredi VIP për të blerë një shtëpi, pasi kishte parë se shtëpia prej druri në të cilën jetonte gjyqtarja kishte probleme.
Me këtë kredi 2.5 milion lekë, zonja Hajdari e ka përdorur për t’i blerë shtëpinë e kunatit, që ia kishte dhuruar ndërkohë. Më pas këtë shtëpi e ka shitur dhe ka blerë një dyqan në rrugën e Elbasanit. Zonja Hajdari tha se dyqanin e kishte blerë për të mbajtur fëmijët.
Anulimi i vizës nga amerikanët
Gjatë seancës katërorëshe u shqyrtuar edhe pastërtia e figurës së gjyqtares Fatmira Hajdari. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dërguar fillimisht një raport për gjyqtaren Hajdari, duke pohuar se nuk ka probleme me figurën.
Por, më pas, DSIK e ka ndryshuar këtë raport, duke theksuar se Fatmira Hajdari nuk është e përshtatshme për të vijuar të shërbejë në drejtësi, pasi ka fshehur në formularin e deklarimit faktin se Ambasada Amerikane i ka anuluar vizitën, duke i ndaluar të shkelë në tokën amerikane. Avokati i zonjës Hajdari, Maks Haxhia tha se kishte refuzim vize, por vetëm revokim i vizës deri në përfundimin e procesit të Vetingut./Shqiptarja.com/Nga Adriatik Doci