Nga Timo Flloko
Xhon (John) Belushi, me talent gjenial të pakrahasueshëm si aktor komik, mit i Amerikës, këtë janar do të mbushte 76 vite jetë. U shua herët në kulm të rinisë, i dënuar nga fati i vet tragjik në moshën 33 vjeçare (në vite si Krishti).
Lindi në Çikago, të shtetit Illinois, në SHBA, me prindër shqiptarë. Në tridhjetë e tre vitet që jetoi, edhe vetëm me Saturday Night Live, Radio Hour dhe me filma si Animal House dhe Blues Brothers pati një sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e tij, aq sa në kohët moderne s’e kishte arritur thuajse askush. Shkëlqimi i talentit të tij nuk është shuar as sot. Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë ngrihet legjenda rreth tij (siç ndodh vetëm me gjenitë). S’kalon javë që një kanal televiziv amerikan, të mos e përmendë emrin dhe talentin e tij të papërsëritshëm në krijimin e karaktereve komikë e tragjikomikë të shumëllojtë.
LEXONI EDHE
Rikthen lëngun e nyjeve në 6 ditë: gjunjët tuaj nuk do të dhembin
Bone Control
Hallux valgus zhduket për vetëm 3 ditë me këtë metodë
Bone Control
Zgjidhje e shpejtë për prostatitin – do të zhduket për 2 netë!
Prostafix
Edhe nyjet e lodhura mund të rikthehen pa kirurgji!
Bone Control
… “John-i ishte mbi të gjithë ne, një fenomen”, thotë aktori Bill Murray. Gjenialitetin e tij e pohojnë shumë artistë të mëdhenj dhe përtej tyre, kujtesa e vetëdija e publikut amerikan. John-i solli një koncept realist e modern në trajtimin e karaktereve komikë që krijoi, përmes një loje serioze në dukje por të thellë së brendshmi, me komicitet dhe sarkazëm e kontraste të befta, herë-herë të çuditshme e me të papritura. Imitimet në krijimin e tipave si Samurai, Beethoven, Marlon Brando, Joe Cocker, etj., po aq sa rolet në filmat që përmendëm më lart, janë realizime të papërsëritshme, maja të interpretimit në sferën e humorit. Ai e aktualizoi dhe i dha tingëllim modern interpretimit të klasikut komik-serioz, Buster Keaton.
Veç dy filmave të famshëm që luajti, popullariteti i erdhi kryesisht nga Saturday Night Live, një show që e entuziazmoi Amerikën për 30 vjet. Çdo yll i Amerikës, aktor a këngëtar quhej disi i paplotë, po të mos ishte ftuar së paku një herë në atë show… Po huazoj shprehjen që përdor Noli për veprën Hamleti, për të thënë se Xhoni ishte “pema më e lartë e pyllit” të humorit amerikan në atë kohë e vite pas.
Vetë jeta e Xhon Belushit ishte si film, një luftë me veten, plot etje e dëshirë për ta jetuar intensivisht, me ngjitjet e rëniet e veta, me hare, humor, deprimim, çmotivim… me yllin e famës mbi krye si kurorë dhe me një fund tragjik. Në rini, kur luante futboll amerikan si mbrojtës-mesfushor, shokët e skuadrës e thërrisnin “Killer Belushi” – mbase ogur i keq për dikë që do të përfundonte si “killer” i vetes së vet.
Në kronikën e kohës shkruhej: “Të martën, më 9 mars, nën tingujt e “That Lonesome Road” (Ajo rrugë e vetmuar) ai u varros në Abel’s Hill Cemetery në Martha’s Vineyard. Më 11 mars, afro një mijë vetë, miq e të afërm të familjes, morën pjesë në meshën përkujtimore në Nju Jork, në Katedralen Saint John the Divine. Miku i vet Dan Aykroyd nxori një magnetofon dhe e vendosi përballë mikrofonit që të dëgjohej kënga “2000-Pound Bee”: sipas një betimi të bërë dikur, me të ikur i pari prej tyre nga kjo botë, tjetri do t’ia plotësonte amanetin, duke e përcjellë me atë këngë. Dan Aykroyd e përmbushi amanetin. Salla ngriu në fillim dhe pastaj shpërtheu në të qeshura.”
* * *
Kam patur rastin të takohem për herë të parë dhe ta shoqëroj yllin shqiptar të Hollywood-it Xhejms (James) Belushi, vëllain e John Belushi-t në Shqipëri në vitin 1995, kur erdhi për një vizitë familjare me të atin, Adamin (emigruar nga Shqipëria më 1934, në moshën 14 vjeçare) dhe Robertin, të birin (14 vjeçar). Tre breza Belushi, atë, bir, nip.
Verën e atij viti e ruaj si kujtim të çmuar. Udhëtimi i tyre në vendlindje ishte plot ngjarje e befasi, me hare e lot malli. Qyteza, fshati i lindjes së Adamit, i atit të John dhe Jim Belushit, ndodhet në kufirin juglindor me shtetin grek. Adami e kishte lënë Qytezën qysh fëmijë, në moshën katërmbëdhjetë vjeçare dhe si shumë shqiptarë të tjerë kishte marrë udhën e kurbetit drejt Amerikës. Qyteza është një fshat malor, me shtëpi tradicionale, me një kishë mbi kodër dhe përroin që e përshkon fshatin përmes. Përballë urës së gurtë gjendet një shtëpi e braktisur, pothuaj rrënojë, shtëpia e Belushëve.
Thonë se pas vdekjes tragjike të John-it në mars të 1982, e ëma Agnesa (bijë e mërgatës së hershme shqiptare, e lindur në Amerikë me prindër shqiptarë) kishte ardhur në Shqipëri incognito (kjo nuk është përmendur në shtypin zyrtar të asaj kohe, as nuk është shkruar ndonjë rresht për atë vizitë të çuditshme, siç nuk ishte folur kurrë për famën e bujshme dhe madje as për vdekjen tronditëse të shqiptarit që pushtoi Amerikën, aq më pak të mendohej që ajo shtëpi rrënojë të kthehej në një muze nën mbrojtjen e shtetit komunist..!) Në botën tonë asokohe jo vetëm John Belushi, Stan Dragoti dhe ndonjë tjetër personalitet gjak-shqiptar por as Nëna Tereza, nuk përmendeshin, si të ishin mallkim i përjetshëm për Shqipërinë komuniste e obscure të asaj kohe (!)
Mbi atë urë, tregonin bashkëfshatarët, pa mundur të mbërrinte te pragu, Agnesa ishte lëshuar në dënesë përmbi gurët e urës, duke vajtuar “Xhon, bir” dhe, pastaj kishte marrë disa grushte dhe nga ai truall për t’i shpënë në varrin e të birit, John-it, që prehej në kodrën e Abelit në Amerikë.
Më kujtohet një skenë e ngjashme e prekëse si kjo, në ditët që vizituam me Jimmy-n Qytezën dhe shtëpinë e të atit. Pashë si ai, me një ngashërim që rrekej ta fshihte, futi ca gurë të asaj shtëpie në një valixhe, sjellë me vete enkas për atë qëllim.
Jetë njerëzish me dhimbjet e tyre. Dhimbjet na bëjnë të dobët në këtë jetë, të ndjeshëm e të përulur. Njohje me të afërm gjaku (që s’bëhet ujë); lot dhe histori prekëse të dramave të ikjes kahershëm, përgjithmonë, me mall të pasosur për vendlindjen…
Kjo ishte atmosfera e atyre ditëve. Vërejta Adamin se si për dy-tri ditë u ringjall mes vendlindësve të vet, se si nuk çmallej lehtë dhe si ishte sy e veshë e me zemër në duar për ta… Kishte zbritur në aeroportin Nënë Tereza në një wheelchair, duke mërmëritur disa fjali në shqip por ditën kur u largua dhe u nda me njerëzit, i ngjiti shkallët e avionit në këmbë dhe me gjuhë të rikthyer.
***
Në Shqipëri, në takimet me kolegë, Jimmy, kishte folur edhe për karrierën e të vëllait, John-it, yllit që u fik para kohe. Në pamje i ndihej dhimbja për vdekjen tragjike të tij dhe u shmangej komenteve kur e pyesnin për hollësi. Dhimbjen për të vëllanë e ruante të kyçur në shpirt, krahas zemëratës së shtresëzuar me vite për gjithë sa kishte bërë fati mizor ndaj John-it. As helmi i intrigës më monstruoze, me kurthin më të tmerrshëm të bëheshin bashkë, s’do kishin patur forcë të shkaktonin atë dëm fatal që i bëri John-i vetes, njeriut dhe gjeniut njëhershëm!
Se ç’mundim kërkon në botë kalvari i një karriere si e tij, nuk mund të përshkruhet me fjalë, as të përfytyrohet, kur ke parasysh ato maja e lartësi ku mbërriti arti i John Belushi-t! Medet! Cili aktor nuk do ta kishte ëndërruar emrin, talentin, shkëlqimin e famës së tij… rolet që ai krijoi në moshën 33 vjeçare kur e la këtë botë! Ajo shkujdesje nuk kishte qenë për fat të keq vetëm faji i tij por edhe një akt a mallkim i vetë natyrës, e cila, xheloze për krijesën e vet, e asgjëson në çastin më të papritur, për fatalitet, si hakmarrje e kompleks për rebelim e kapërcim të kufijve të caktuar…
“John-i, siç shkruhej rreth tij “… e donte jetën, festat, të dëfrente dhe të egërsohej, t’i bënte njerëzit të qeshnin. Fundi i viteve 70-të dhe fillimi i 80-ve ishin të njohura për përdorimin e drogës në Hollywood. Kudo të shkoje, droga ishte atje. Producentë, regjisorë, aktorë, të gjithë e merrnin atë. John-i nuk bënte përjashtim. Më 5 mars 1982 ishte nata e fundit për të në Chateau Bungalow numër 3, ku ai punonte mbi një skenar për film… John-i shkoi tepër larg. Përzierja e heroinës me kokainën atë natë pati një efekt kumulativ në trurin e tij, ia rreshti frymën, duke i shkaktuar në fund kolapsin e të gjithë sistemit të frymëmarrjes…Të martën, më 9 mars, John-i u përcoll në varrezën e Kodrës së Abelit, në Martha’s Vineyard.”
***
Kur shkova pas një viti në Amerikë dhe takova Jimmy-n, ai, si më përqafoi gjatë më tha: “Father passed away”. “Që nga dita e kthimit e derisa vdiq, ai nuk e hoqi nga goja Shqipërinë, iku me kujtimet e saj në gojë.”
Në vitin 1997 u vendosa në L.A. për të jetuar për një kohë më të gjatë. Me Jimmy-n u bëmë më të afërt, pavarësisht se shiheshim sipas mënyrës amerikane, casually, pa protokoll.. Ai më priti ngrohtë dhe më ndihmoi konkretisht; në pak role modeste që luajta në Hollywood, kam dy karaktere në film me të.
Për ne që vijmë së largu, në Amerikë, në këtë botë të madhe shpërfillëse e shtypëse, njeriu ndihet i vetmuar, jo rrallë i pezmatuar dhe i mohuar… Ka aq njerëz të aftë, por s’e gjejnë dot shtegun t’ia dalin mbi këtë glob që vërtitet, si ai globi i goglave të lotarisë, ku veç pak numra bëhen fatlumë… se kjo botë s’të pranon lehtë, të shtyn të biesh jo rrallë në dëshpërim dhe po të mos jesh i fortë, je i humbur.
Si çdo aktor në botë, kisha ëndërruar ta shihja Hollywood-in, Mekën e kinemasë, ta prekja me sy. Atje, një nga pamjet më sugjestionuese për turistët janë yjet përgjatë Hollywood Boulevard-it. Aty kryhen ceremonitë e glorifikimit; turma njerëzish presin shfaqjen e gjallë të “yllit” në një limuzinë dhe pastaj ritualin e yllëzimit, zbulimin e emrit të shkruar mbi yll, vendosjen e shenjës së duarve (a të këmbëve nga më të famshmit fare), etj. Yjet gdhendur mbi granilin ngjyrë ari e violet nxisin kureshtjen që të endesh pas karvanëve të tyre pa fund përgjatë bulevardit të gjerë e përtej.
Një ditë teksa ecnim me Erion Mustafarajin, aktorin, ish studentin tim, duke kërkuar mes emrave pa fund, u endëm s’di sa kohë pa mundur ta gjejmë yllin e John Belushi-t. Të nesërmen iu vura sërish kërkimit… Duhet ta gjej yllin e John Belushit sonte patjetër, thashë me vete teksa kisha afro dy orë që e kërkoja më kot nëpër trotuaret dy anëve të bulevardit sa m’u morën mendtë… nuk iki pa e gjetur! Ishte një natë e freskët funddimri dhe frynte erë. U enda s’di sa kohë pa patur asnjë ide orientimi, as hartë e as koordinatë dhe, nga Highland deri në Saint Andrews, bëra edhe një orë tjetër. Më kot, s’e gjeta dot.
Ta pyesja Jimmy-n se ku gjendej ylli i John-it, do t’i dukej ndoshta pa sens, se tekefundit, çdokush mund ta gjente lehtësisht..(!) Në rastin e parë që m’u dha, pyeta sekretaren e Jimmy-t, e cila (e habitur për padijen time) më tregoi se John-i nuk kishte yll në Hollywood!! Arsyeja? Një lloj censurimi simbolik për fajin e kryer jo thjesht të “vetëvrasjes” por të vdekjes nga përdorimi i drogës, i cili lypte kohën e caktuar të përmbushjes së afatit të “dënimit” të personit për arsyet më sipër.. O Zot, thashë me zë instinktivisht dhe ajo më hodhi një vështrim të çuditshëm, duke më pyetur, “Pse, ti nuk e dije?!”
Duke fluturuar për Nju Jork, pak ditë më pas, shkrova poezinë kushtuar John Belushi-t, “Ylli pa strehë.”
YLLI PA STREHË
John Belushit
U enda natën në Hollywood Boulevard,
Shtrojën e famës shkela anefund,
Në koloninë e yjeve, pambarim atje,
Yllin tënd s’e pashë, John, askund…!
Ku të jetë fshehur, si ta gjej,
Me atë shkëlqim që kurrë s’u fik?!
Në kujtesën njerëzore ai feks,
Si një yll i pashuar kozmik.
Po ti ke shkuar, s’je askund, John,
Shpirti yt rebel rend në zbrazëti.
Vdekja vjen, mik, e na rrëmben,
Tjetrës botë na çon, kush s’e di!
Mijëra milje larg, Ishullit të Martës,
Në Kodrën e Abelit prehet shtati yt,
Mbetur atje, si në skaj të botës,
Që e deshe, por s’të deshi ty…!
Ç’fat i keq, Zoti të ndëshkoi,
Që në zenit t’i këputi ëndrrat,
Kush të shpuri atij gjumi pa kthim,
Në Los Angeles-qytetin e engjëjve?!
Ulërij, nga dhimbja sa s’shkalloj,
Pré e vdekjes, s’t’u dhimb jeta, mik,
Ti, shqiptar i madh fat-tragjik,
Mit i Amerikës… mit!
Në Shtëpinë e Bluzit shkoj, pastaj,
Në të famshmen Kështjellë Marmount*,
Kjo ndalesë e fundit si hon nxin,
Hijerëndë, e ftohtë si një morg.
(Pse ndëshkon aq vrazhdë fati ngaherë,
Më të pazakontët, thuaj pa dallim,
A mos zilia rreket të groposë,
Madhështinë që nuk njeh harrim?!)
Kot t’i hamendësh të fshehtat e botës,
Se ç’sjell jeta, veç një Zot e di,
Trishton bulevardi si varrezë yjesh,
Ku mungon vezullimi yt.
Sa emra u gdhendën, e nuk janë më,
Me kohë janë shuar, mbuluar harresës,
Sa pak shkëlqejnë prej rënies atje,
Në qiellin shkretan të kujtesës…
Kureshtarë, këmbë turistësh pa pushim,
Shkelin yjet që s’iu soset fundi…
Ka një vend për ty, John, në çdo shpirt,
Tej shkëlqimit flu të Hollywood-it.
***
Kaloi më pak se një vit dhe një mëngjes kur rrija ende në shtrat pas një nate të gjatë dhe të vonë me miq, më trand e zgjon një zile telefoni vesh-vrasëse, si sirenë (e kisha vënë në maksimumin e vet për të mos humbur së largu nëpër shtëpi ndonjë zile që mund të vinte nga Shqipëria, nga Vera [Grabocka] a ndonjë shok e mik..) Brofa paksa i lemerisur, pa mundur ta ndaja realitetin nga trazimet e ëndrrës që shihja, mora receptorin ngathët dhe dëgjova një zë “Alo”, që për çudi m’u duk si i ardhur nga hiçi por jo i imi.. “Hiiii, Tiiiiimooooo! Good morning! “Guess what? JOHN GOT THE STAR! I am so happy!”
U kthjella në çast edhe pse nga ana tjetër (ora duhej të kishte kaluar 10-tën, kohë e përshtatshme për telefonatë…) zëri ishte i plotë, entuziast, i ngritur thuajse në qiell por i ngrohtë dhe i dashur për dëgjuesin.
John-it ia vendosën yllin? Sa më gëzove Jim, lajm fantastik..
You made my day, Jim!
Në botimin e dytë të librit me poezi “Rob i manive” në 2004, te poezia “Ylli pa strehë” kushtuar John Belushi-t, vura në fund shpjegimin:
“Ylli i John Belushi-t u vendos në Hollywood në pranverën e vitit 2004. Kjo poezi është botuar për herë të parë në nëntor të vitit 2003.”
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është një ilustrim për dhembjen, veçse s’ndodh të mos ndiesh dëshpërim e brengë në vete për humbje të atilla, për udhëkryqe e fate tragjikë, për destine të pazakontë! (Një kohë tjetër, afro 30 vite më pas, një tjetër yll i përmasave të mëdha, Odiseu shqiptar, aktori me famë të përbotshme si asnjë yll i Lindjes asokohe, Bekim Fehmiu, e caktoi vetë fatin e ikjes nga kjo jetë… Sigurisht, siç shkrova në një përshpirtje për të, “të mëdhenjtë nuk gjykohen, ata e caktojnë vetë fatin e ikjes së tyre”).
Një hije e tillë ia erri jetën Sandër Prosit, aktorit që krijoi dy role të paharruar si Dhaskal Todri që solli shkronjat dhe Ismail Bej Vlorën, që kreu pavarësinë. Por s’ndalet as këtu ai fat i keq, që ia mori jetën aktorit, aq të veçantë të brezit tim, mikut dhe shokut të klasës, Llazi Sërbo… e mbërtheu fataliteti dhe atë, si të përmbushej një cikël i ikjes edhe i tij pas të mëdhenjve (ai vetë ishte jo më pak i tillë…) Vetëvrasja nuk është si një provë teatri, që përsëritet por shfaqje e fundit në dritën e diellit të jetës. Askush nuk nxitet a ndikohet për vetëvrasje (vetëvrasja nuk është një akt imitues) por mendoj të shkaktohet prej trazimeve të forta thellë vetes. Ngjarje të tilla tronditëse, kur ndodhin fatalisht, nga një vështrim besëtyt hamendet të jenë destin, të përcaktuara më parë, siç thotë populli, të shkruara…
Dhembja është si ajsbergu i këtij homazhi, që s’shkrin lehtë. Por edhe një refleksion, pa adresë, dalë nga pezmi përthellë vetes, si zemërim e protestë ndaj fatit.
Vuaj dilemën në vete se përse, te artistë e aktorë të mëdhenj, jo në pak raste, ndodh ky akt i tmerrshëm kundër jetës. Mos për pasojë të mundimit drejt ngjitjes, si i Sizifit, si shterje a humbje e kuptimit të karrierës artistike, të përkryerjes së misionit në art ku s’mbetet tjetër gjë për t’u thënë, dhe duket sikur, pasi kryhet ky mision e finalizohet, çdo gjë më pastaj s’ka më vlerë?! Se artistit, pasi e shlyen rolin e vet (përmes vetes, në rastin e aktorit), s’i mbetet gjë për të bërë më përtej, se s’ka tjetër majë a lartësi për të mbërritur, se e ka mbërritur finishin?!
Mungesa apo kriza e motivit të jetë vallë në nënvetëdije shkaku i suicidit?! A mos ndoshta rënia e famës, pesha e viteve, rrallimi i angazhimeve e i dëshirave apo zverdhja nga vetë lavdia e absurdi i famës… të gjitha të marra veç e së toku, të jenë shkaku? Një Zot e di! Apo mos vetëvrasja (këtë e pohojnë sa herë mjekët) nuk ka një shkak të vetëm a të drejtpërdrejtë por është një fenomen tejet i ndërlikuar për një mori motivesh, të cilat nuk shpjegohen lehtazi dot, i diktuar nga rrethana të ndryshme e të veçanta njerëzore, ose nga probleme mirëfilli patologjike?! Cilado qoftë arsyeja, fenomen social a i rastit, i pranuar në çdo version, mbetet një akt krejt vetjak, enigmatik, ku arsyet e vërteta s’shpjegohen përherë.
Sensibiliteti tek artisti për hir të profesionit (të hysh e të dalësh nga personazhe të ndryshëm është një thyerje si e ngjyrave të dritës në gjashtëkëndësh, me figura nga më të çuditshmet e jo veç…) është një territor ku bota emocionale e artistit merr lëkundje e goditje të paparashikuara, të cilat çojnë në trauma e kriza psikike. Artisti si qenie e brishtë thyhet, e gjen veten në zgrip të greminës… dhe për fatalitet, i jep lamtumirën jetës.
Asgjë s’është absolute dhe e gdhendur mbi gur por gjërat ndodhin dhe, dhembin më shumë kur s’duhet të kishin ndodhur! Ato lënë mbresa pas, të cilat na trishtojë thellë sa herë i sjellim nëpër mend. John-i la madhështinë e artit të tij pas si një yll që s’i shuhet në kohë vezullimi.