Enea Zhegu lindi më 9 korrik 1964 dhe kishte mbaruar studimet në Insitutin e Lartë të Arteve për aktor. Ai e filloi veprimtarinë e tij në filmin shqiptar që në moshë 12-vjeçare, duke u angazhuar nga regjisori i mirënjohur Dhimitër Anagnosti, për të interpretuar në filmin “Lulëkuqet mbi mure” në vitin 1976, ku interpretoi me shumë sukses rolin e Lelos.
Një vit më pas, 1977, spikati me rolin e Zigurit në filmin “Njeriu me top” dhe veçanërisht shkëlqeu me atë të Tomkës në “Tomka dhe shokët e tij”, rol i cili e bëri të njohur dhe e identifikonte te publiku.
Në vitin 1986 interpretoi përsëri një rol kryesor në filmin “Një jetë më shumë”, i cili do të ishte dhe roli i tij i fundit dhe shkëputja nga kinematografia shqiptare.
Në vitin 1990 emigron në Greqi e pas disa viteve në Itali. Në ditët e para të kthimit në Tiranë, do të shkonte në Akademinë e Arteve sepse donte që ta niste aty ku edhe u shkëput në vitet e shkuara.
Ndërsa në vitin 2013, regjisori Besnik Bisha e afron në stafin e serialit “Millenium”, duke luajtur një rol kryesor së bashku me aktorin e mirënjohur Ndriçim Xhepa.
U largua nga kjo jetë me 29 Maj 2022 në moshën 57 vjeçare.