Kryeministri Edi Rama është i vendosur për t’i shkuar në fund idesë për Shengenin Ballkanik. Edhe pse Kosova ka dalë kundër, kjo duket se nuk do e ndalë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë. I vendosur, kryeministri Rama dje i pranishëm në Samitin e BERZH-it në Londër e përmendi këtë çështje, të cilët e cilëson si shumë të rëndësishme për vendet ballkanike.
Rama gjatë fjalës së tij u shpreh se konfliktet e hershme nuk duhet të bëhen pengesë e një nisme që në thelb ka për qëllim rindërtimin e një të ardhme më të mirë për të rinjtë. Ndërsa theksoi se Shengeni nuk është “mini”. “Natyrisht kemi probleme, natyrisht kemi mosmarrëveshje, natyrisht ende ka probleme të mëdha që duhen zgjidhur, por ne po punojmë sëbashku e po ecim përpara sëbashku, e duam që sëbashku të ndërtojmë një të ardhme për fëmijët tanë, që të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo që trashëguam brez pas brezi në mosmarrëveshje të pafundme, me luftëra e konflikte. Kjo mendoj është shumë e rëndësishme.
Natyrisht, kjo nuk ka të bëjë thjesht me paqen si e tillë, por me zhvillimin, me ekonominë, me të ardhmen për popujt tanë, për të rinjtë, për fëmijët tanë. E kjo është arsyeja pse besoj fort që ajo çka… më duhet të mos bie dakord me Anën e me të gjithë të tjerët e sidomos me atë që shpiku këtë “mini shengen”, sepse nuk e di se ku “ai” apo “ajo”, por jam i sigurt që ka qenë “ai”, e ka gjetur këtë fjalë. Nuk është aspak “mini”.
Ne jemi mesatarisht ndër më të gjatët në Europë si rajon. Është rajonale. Është një hapësirë e përbashkët rajonale që emërtohet apo i referohet si Shengen, thjesht për të kuptuar për çfarë bëhet fjalë”, tha kryeministri Rama. Duke mos mjaftuar me aq, kreu i qeverisë Edi Rama vendosi të evidentojë dhe avantazhet e Shengenit Ballkanik. “Bëhet fjalë për 4 liritë e Europës; Liria e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve në rajonin tonë, ku ndërkohë që flasim, në kufij, mallrat dhe njerëzit presin më shumë se 1000 vjet për vit, që nuk është efektive besoj. E pra, BERZH-i në asnjë mënyrë nuk do të financonte një projekt ku pritet 1000 vjet në vit”, tha kryeministri Rama.
Rama për Konferencën e Donatorëve
Kreu i qeverisë Edi Rama në samitin e BERZH-it, përpos Shengenit Ballkanik, solli në vëmendje dhe Konferencën e Donatorëve, që u mbajt në Bruksel më 17 shkurt. Rama në kuadër të kësaj çështjeje, falënderoi shtetet që morën pjesë dhe që dhuruan para për tu bashkuar në rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit fatal të nëntorit të 2019. “Do të doja të falënderoja sërish, nga thellësia e zemrës, të gjithë ata që morën pjesë në Konferencën e Donatorëve, por do doja të them që pjesa më prekëse ishte pa asnjë dyshim pjesëmarrja e miqve tanë nga rajoni.
Të gjitha vendet që është i ulur në këtë panel përfaqësuar nga ne, natyrisht, plus Kroacisë, sepse e shihni që Andrej nuk është ulur me ne, por sërish është pjesë e botës tonë, kanë dhënë në shembull të shkëlqyer solidariteti e të asaj çka është fryma në rajon qysh prej disa viteve, edhe falë këtij forumi e shumë mbledhjeve të tjera, të cilat kanë ndryshuar e shpresoj përgjithmonë frymën”, tha kryeministri Edi Rama. Në kuadër të situatës së tërmetit, kryeministri Edi Rama shtoi se nuk është e lehtë të “fundosësh” të shkuarën dhe pasojat. “Tashmë na duhet të bëjmë përpara e natyrisht, të ecësh përpara e të ndërtosh mbi këtë dhe ta shndërrosh paqen në një instrument zhvillimi e begatie nuk është e lehtë, sepse e shkuara ende nuk është tërësisht pjesë e historisë”, tha ai./SOT/ORNELA ÇELPICA