Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një letër Ambasadores Yuri Kim në lidhje me vëllain e ish- ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj. Në letrën e siguruar nga Top Channel nga burime diplomatike, Basha thotë se PD-ja publikisht përmes Ervin Salianjit ka paraqitur prova për përfshirjen e vëllait të zotit Xhafaj në narko-trafik.
“ Pavarësisht këtyre zhvillimeve, nën presionin politik të qeverisë, sistemi drejtësisë dështoi të bëjë dhe përfundojë një hetim për këto krime të dyshuara, përfshi tentativat për t’i mbuluar ato, me përfshirjen e zyrtarëve të lartë të policisë dhe politikanëve nga PS”.
Kryedemokrati Basha shpalos edhe shqetësimin për atë që ndodhi me gjyqin e ish deputetit Ervin Salianji.
“ Gjyqi prodhoi shkelje flagrante të ligjit, nga një gjykatës haptas i lidhur me partinë në pushtet duke dënuar përfaqësuesin e PD Ervin Salianji dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashi me akuza absurde për raportime të rreme”.
Bashkë me këtë letër kreu i PD Basha ka dërguar edhe një material përmbledhës për atë që e quan abuzim pushteti dhe presion politik, që ndëshkoi denoncuesit e një krimi për të mbrojtur autorët e krimit.