Pas dy muajsh e gjysmë nga nisja e sezonit, në 5 kampionatet më të fortë të Europës, vetëm dy skuadra nuk e kanë pësuar ende humbjen e parë. Dhe njëra prej tyre është një surprizë e madhe.
Statistikat flasin qartë. Po të marrim në konsideratë “Top 5” të kampionateve në Europë, 2 skuadrat e vetme me 0 humbje deri tani në këtë sezon janë nga Premier Liga dhe Bundesliga. E para është Liverpuli, që në Champions njeh vetëm fitore, kurse në kampionat nuk humb që prej 7 marsit (kundër Fulhemit). Skuadra e trajnerit Jurgen Klop, që prej fillimit të sezonit, regjistron 11 fitore dhe 4 barazime.
Skuadrën e dytë është e vështirë ta gjesh. Ajo vjen nga Gjermania dhe nuk është Bajerni i Mynihut, por Frajburgu. Është skuadra zbulim e këtij kampionati, me 6 fitore dhe 5 barazime. Mban vendin e tretë në Bundesligë dhe ka kaluar turin në Kupën e Gjermanisë.
Tani duhet të ruajë rekordin e pathyeshmërisë (nuk humb që më 22 maj) kundër më të fortit, pasi më 6 nëntor ndeshet me Bajernin. Me Frajburgun është aktivizuar në të kaluarën ish-sulmuesi i Kombëtares, Altin Rraklli, ndërsa vitet e fundit me fanellën e këtij ekipi ka luajtur dhe Amir Abrashi.
Në kampionat nuk kanë pësuar humbje as Milani dhe Interi, por në Kupat e Europës po. Po ashtu, në Spanjë janë mundur këtë sezon si 2 skuadrat e Madridit, ashtu edhe Real Sociedadi, ndërsa Barcelona nuk merret më në konsideratë.