Presidenti amerikan Donald Trump ka folur nga Shtëpia e Bardhë pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.
Trump u shpreh se Kosova do të vendosë raporte me Izraelin, ndërsa shtoi se së afërmi do të vizitojë këta shtete.
Donald Trump: Jam i kënaqur t’ju njoftoj se Kosova dhe Serbia janë dakordësuar për normalizim marrëdhëniesh, pas një historie tragjike. Administrata ime është përqendruar tek ekonomia, tek rritja ekonomike, bashkëpunimi në çështje ekonomike. Serbia dhe Kosova kanë njerëz të shkëlqyer në Amerikë dhe është gjë e mirë. Kosova dhe Izraeli kanë vendosur të normalizojnë marrëdhëniet diplomatike.
Marrëveshja e vendosur me Emiratet e Bashkuara Arabe ka qenë e jashtëzakonshme. Serbia ka vendosur të hapë zyrë tregtare në Jeruzalem e ky është hap shumë i madh përpara.
Ka pasur guxim të madh nga dy liderët që të punojnë mbi këto tema, për të finalizuar temat e tyre me rëndësi. Mezi pres të shkoj tek dy vendet në të ardhme jo të largët. Jemi krenarë për këta dy liderë, është vërtetë historike.