Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e Thumanës të prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019 për projektet e rindërtimit. Rama tha se të gjithë banorët e dëmtuar do të futen në shtëpi të reja, duke shtuar se banesat individuale do të jenë gati në fund të vitit 2020, ndërsa për godinat disa katëshe do të duhet më shumë kohë.
Kreu i qeverisë iu premtoi të gjithë banorëve se shtëpitë e reja do të jenë vila në kuptimin e plotë të fjalës, me hapësirë të bollshme dhe me të gjitha kushtet.
“Këto shtëpi janë anti-sizmike, përballojnë tërmet prej shumë ballësh dhe shumë më të rëndë se ai që ra. Janë ekologjike, pra që shërbehen 150 mijë lekë energji, sepse nuk kanë nevojë për shumë ngrohje në dimër dhe janë të freskëta në verë. Kanë edhe një element tjetër, që janë shumë rezistente ndaj erës. Banesat nuk krahasohen fare me ato që ishin, do të jenë të standardit më të mirë, që në Tiranë e vende të tjera shiten për arsye komerciale. Të gjithë do marrin atë që kanë humbur. Do t’i fusim një shkelm gjithë kësaj situate që ishte kur erdhi tërmeti”, tha Rama.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Duam që të gjithë ata që ndjeheshin të shokuar pas tërmetit, ta bëjnë gëzuar vitin e ri 2021 në shtëpinë e re. Një e keqe si ajo që ndodhi mos ardhtë më kurrë, por e mira që duhet të sjellë është që ne duhet t’iu fusim nëpër shtëpi me kushte optimale. Këto do të jenë shtëpi, vila, në kuptimin më të plotë të fjalës. Shtëpi me hapësirë të mjaftueshme, për ata që janë një ose dy në shtëpi me një dhomë dhe një kuzhinë 1+1, me hapësirë të bollshme, dhe për ata që janë më shumë 2+1, për më shumë 3+1 dhe ata që kanë pasur viktima do iu japim aq shtëpi, sa kurorë kanë. Trualli i shtëpisë së vjetër do të jetë truall për ta përdorur ju për blegtori, kopshtari, për çfarë të doni ju, por jo që të rri shtëpia atje.
Nëse qëndron te shtëpia ku je, ti duhet që për një matje tensioni apo vizitë mjekësore, të marrësh rrugën e të shkosh deri te qendra shëndetësore. Fëmijët do duhet të bëjnë rrugën për në shkollë, pa llogaritur faktin që kur duhet të marrësh shërbime administrative, do duhet të shkosh te njësia. Ndërsa te shtëpitë që do bëjmë ne, ju do t’i keni të gjitha aty, shërbimet, shkollën, parqet, të gjitha. Ne duam që Thumana, duket si përrallë, por përrallat e mia dalin, kur thoja që Puka do bëhet, pukjanët thonin “kur do ikë ky palla i gjatë, se boll na ka pallu në përralla”. Shkoni ta në Pukë e shikojeni si është.
Shkoni shihni Belshin. Këtu do jemi për Thumanën, por le ta fillojmë me shtëpi. Zona që do ndërtohet, do ketë parametra krejt ndryshe. Do fillojmë shumë shpejt me rrugët e brendshme, me kanalizimet, ujësjellësin, ndriçimin, dhe pastaj me ndërtimin. Banesat individuale, shtëpitë, do jenë gati deri për vitin e ri. Godinat me disa kate kanë nevojë për më shumë durim. Qendra do të ketë të gjitha shërbimet, edhe bibliotekë për fëmijët, terrene sportive, fushën e futbollit, edhe disa fusha të tjera, edhe park lodrash për fëmijët, park për të moshuarit. Belshi ishte një tmerr, ndërsa tani nuk gjen dot vend për t’u ulur nëse shkon të shtunë ose të diel, sepse shkojnë shumë njerëz për të kaluar fundjavën. Këtu do të ndodhë e njëjta gjë. Në Belsh po hapen biznese të vogla, që iu shërbejnë vizitorëve.
Edhe këtu keni shumë njerëz në emigracion, të jeni të sigurt që do ta kthejnë kokën. Javën e ardhshme do të hapet gara ndërkombëtare për kompanitë për të bërë këto shtëpi, që janë anti-sizmike, përballojnë tërmet prej shumë ballësh dhe shumë më të rëndë se ai që ra. Janë ekologjike, pra që shërbehen 150 mijë lekë energji, sepse nuk kanë nevojë për shumë ngrohje në dimër dhe janë të freskëta në verë. Kanë edhe një element tjetër, që janë shumë rezistente ndaj erës. Banesat nuk krahasohen fare me ato që ishin, do të jenë të standardit më të mirë, që në Tiranë e vende të tjera shiten për arsye komerciale. Të gjithë do marrin atë që kanë humbur. Do t’i fusim një shkelm gjithë kësaj situate që ishte kur erdhi tërmeti. Shumë shpejt do të vijmë prapë, dhe herës tjetër do të vijmë për të filluar punën.