Nuk ka shaka më të madhe sesa një parti që nxjerr mbi 20 deputetë nga parlamenti me vullnetin e saj dhe pastaj përpiqet të përfaqësohet aty me një ish- të zgjedhur nga rradhët e Rilindjes.
Kjo i ka ndodhur LSI së që ka rekrutuar së fundi deputetin e Kurbinit, Gjetan Gjetani, të përjashtuar pak kohë më parë nga Partia Socialiste. Ai vetë ka shpjeguar rrethanat në një intervistë për News 24.
“Ideja ka lindur pas periudhës së tërmetit, në atë moment kuptova se Rama nuk po reflekton për zonën e Kurbinit në mënyre absolute.
Nuk e kisha vendos që të kalojë në asnjë parti, qëllimi im ishte që të përfundonte legjislatura, mandati dhe të merrem me punët e mia private.
Por më ka habitur mllefi që ka z.Rama për Kurbinin dhe për qytetarët e Kurbinit. Kjo ishte arseja që unë mendova të bëj një lëvizje të kaloj në një parti tjetër”, ka thënë Gjetani.
Po nëse arsyet e Gjetanit janë të kuptueshme ato të partisë që e pranoi duken absurde. Eshte vështirë të kuptohet se si një parti që ka marrë vendim të djegë mandatet pranon në rradhët e saj një burrë që shkon në kuvend.
Po të ishte ky kriteri, pra nëse Gjetani vazhdon të jetë deputet, LSI nuk ka pse i quan më tradhëtarë as Lefter Kokën apo Robert Bitrin që i ka nxjerrë nga radhët e saj.(Lapsi.al)