Nga Anri Bala
Nuk na e kursyen shfaqjen e radhës: “shkova, ulërita, dështova”… me të njëjtat fytyra, të njëjtën muzikë, të njëjtët pjesmarrës, të njëjtat fjalime, prej atyre që e kanë nxirë, shkatërruar, grabitur, copëtuar dhe degjeneruar këtë vend, e dje na kishin dal për të protestuar me viktimat e tyre për “liri” dhe demokraci”, edhe për pak… drejtësi. Kur them pak drejtësi, e kam fjalën për atë me kushte, pasi të gjithë ata që dalin e pëllasin podiumeve e thërrasin atë me gjysëm zëri nga frika se mos “zgjohet”: “U bëftë drejtësi… por vetëm për kundërshtarin!”
Në dijeninë time, Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë patur lirinë dhe demokracinë pafund dhe e kanë përdorur si pronë të dhuruar nga babai dhe nëna për të sterrosur jetët e një kombi të tërë. Të ripërsëritësh mynxyrat që i ka bërë Berisha dhe Meta kombit shqiptar është humbje kohe, sepse nuk ka njeri me këmbë në tokë që nuk i di, përveç horrave që u kanë shërbyer për kocka dhe llokma nga tepsia e pushtetit kriminal ose disa “sorra” që ëndërrojnë të kthehen në horra, me lugën e pushtetit në brez.
Natyrisht që qeveria duhet ta kuptoj dhe ta lexoj mesazhin e popullit me shumë seriozitet, sepse populli ka shumë probleme ekonomike që kërkojnë zgjidhje. Por a ishte ajo një protestë e popullit, apo e dy maskarenjve që tallen me ata që u besojnë? Njëri që nuk ka lënë krim pa bërë ndaj kombit dhe tjetri, që si i pafytyrë që është, tallet me inteligjencën e shqiptarëve… u qan hallin atyre mijërave që emigrojnë me “emigrantët” e familjes së tij, që hanë 160 mijë paund çdo vit, për tu arsimuar me paratë e grabitura… tonat dhe atyre që ishin aty, që e dëgjonin e duartrokisnin.
Kjo nuk do të thotë, se Edi Rama është i përkryer apo i papërlyer… por ata të dy nuk ishin populli… por dy hallexhinj që po përdornin popullin, ndaj qeveria nuk i lexon mesazhet e asaj proteste.
Ndërsa qytetarët hallexhinj, ishin aty pa e ditur as vetë se ku po shkojnë, por nëse do të ulnin kokat para portës së kryeministrisë, do të ndjehen të turpëruar përballë atyre 4 emrave mbi pllaka bronzi, që u rëgtin shpirti kur shikojnë dy gjaksorët që shkelin mbi idntitetin e tyre si dy udhëheqës të një proteste… për “drejtësi”.
Është e turpshme dhe qesharake të shohësh vrasësin, hjeksin dhe viktimën (popullin), të kërkojnë drejtësi së bashku! Kurse nënat e atyre djemve, tronditen kur shikojnë se me sa guxim dhe shpirtligësi hjeksi dhe vrasësi përdhosin sakrificën e bijve të tyre, duke thirrur për drejtësi në vendin e krimit.
Ndaj i mbulojnë me mallkime të dal nga shpirti: Zoti, ju dhëntë fatin e fëmijëve tanë!/Ekskluzive.al