Rrallë janë lojtarët që të kenë shkruar me djesë një karrierë të atillë si mbrojtësi italian i Milanit, Franko Barezi. Ai është një nga ikonat e futbollit italian dhe një prej mbrojtësve që ka spikatur më shumë në historinë botërore, një prej flamujve të fundit të një loje që i është dorëzuar shpesh milionave dhe tundimit, pa respektuar fanellën.
Ai është ndoshta mbrojtësi i lirë më i mirë në histori. Franko Barezi, 46 vjet në skuadrën e Milanit nga të cilët 19 vjet në fushën e lojës, feston këtë fundjavë plot 6 dekada jetë, duke rikthyer në mendjen e tifozëve ndërhyrjet e tij karakteristike dhe empatinë që krijoi edhe me ata që i kishte kundërshtarë. Kur në moshën 14-vjeçare zbarkoi te Milan nga një fshat i Breshias, askush nuk e mendonte që në shkallët e “San Stros”, emri i tij do kthehej në një mit. Që nga debutimi në 23 prill të 1978 e deri te lamtumira nga futbolli në 1 qershor 1997, Barezi fitoi 17 trofe, u kthye në simbolin e epopesë së presidentit kuqezi Silvio Berluskoni, dhe kapiteni i 1001 betejave të trajnerëve emblematikë si Saki dhe Kapelo.
Me kombëtaren italiane, mbrojtësi kishte më shumë disfata sesa gëzime. Një Botëror i fituar në 1982 pa zbritur asnjëherë në fushë dhe zhgënjimi i Botërorit amerikan në 1994-ën, kur gaboi një prej penalltive ndaj Brazilit, në finalen e madhe në Pasadena në sytë e miliona tifozëve në mbarë globin.
Jeta e Franko Barezit
Franco Barezi u lind më 8 maj 1960 dhe aktualisht është trajner i të rinjve në futbollin italian, ish-lojtar e menaxher. Karriera e tij futbollistike lidhet me rolin e qendërmbrojtësit apo e “pastruesit” të zonës (lojtar që rri para mbrojtjes). Në 20 vitet e karrierës së tij ai luajti vetëm për një klub, Milanin. Llogaritet të jetë një prej mbrojtësve më të mirë të të gjitha kohërave në futboll. Me Milanin luajti 15 sezone dhe ka fituar shumë trofe të mëdhenj. Për suksesin e karrierës së tij Barezi është renditur i 19-ti në listën e 100 lojtarëve më të mëdhenj në botë në shekullin e 20-të nga “World Soccer”. Me Mlanin fitoi 6 tituj të Serisë A, 3 tituj Champions League të UEFA-s, 4 superkupa të Italisë, dy kupa ndërkontinentale, si dhe dy superkupa europiane. Me Kombëtaren e Italisë, ai ishte anëtar i skuadrës që fitoi Kupën e Botës FIFA të vitit 1982, por nuk luajti asnjë minutë. Ai gjithashtu luajti në Kupën e Botës 1990, ku u emërua në Ekipin “All-Star” të Kupës së Botës FIFA, duke përfunduar i treti në këtë konkurs.
Në Kupën e Botës 1994, ai u emërua kapiten i Italisë dhe ishte një pjesë integrale e skuadrës që arriti në finale, megjithëse humbi penalltinë që ndikoi në fitoren e Brazilit. Pas tërheqjes nga futbolli në vitin 1997, Milani tërhoqi nga qarkullimi fanellën numër 6 të Barezit. Siç dihet, Franko Barezi është përfshirë në Sallën e Famës të Futbollit Italian në vitin 2013.