Distancimi social është një ndër thirrjet më të fuqishme të dhëna në këtë emergjencë të koronavirusit, si masa parandaluese për frenimin e përhapjes së virusit.
Të gjitha institucionet e rëndësishme shëndetësore, si dhe autoritetet përkatëse në çdo shtet i kanë mëshuar fort kësaj thirrje.
Zyra e OBSH-së në Shqipëri ka ripërsëritur thirrjen për ruajtur distancën sidomos me të moshuarit, përkatësisht gjyshërit, për t’i mbrojtur në këtë periudhë të vështirë.
“Nëse kujdesi për të ruajtur sigurinë e gjyshërve tuaj do të thotë që nuk mund t’i vizitoni ata… flisni me ta në telefon dhe lidhje me internet çdo ditë, që mos të ndihen të vetmuar.
Kujdesi për të qëndruar të lidhur dhe për të ruajtur sigurinë e njëri-tjetrit është përgjegjësi e gjithësecilit.
Distancimi fizik nuk është izolim shoqëror.
Së bashku mund ta mundim #COVID19”, shkruhet në njoftimin e zyrës së OBSH-së në Shqipëri në faqen e “Facebook”.