Shkencëtarët australianë thonë se kanë zbuluar një objekt të panjohur rrotullues në Rrugën e Qumështit, për të cilin ata pretendojnë se nuk është evidentuar kurrë më parë.
Objekti i zbuluar për herë të parë nga një student universiteti është vërejtur teksa lëshonte një shpërthim të madh energji radioje për një minutë të plotë çdo 18 minuta. Objektet që lëshojnë energji në univers janë dokumentuar shpesh, por studiuesit thonë se diçka që ndizet për një minutë është shumë e pazakontë.
Ekipi po punon për të kuptuar më shumë. Objekti u zbulua për herë të parë nga studenti i Universitetit Curtin, Tyrone O’Doherty në një rajon të periferisë së Australisë Perëndimore të njohur si Murchison Widefield Array, duke përdorur një teleskop dhe një teknikë të re që ai kishte zhvilluar.
“Objekti i çuditshëm po shfaqej dhe po zhdukej gjatë një periudhe disa orëshe teksa ne po e vëzhgonim,” u citua të thoshte O’Doherty në një njoftim për media.
“Kjo ishte krejtësisht e papritur. Ishte disi drithëruese për një astronom sepse nuk dihet asgjë në qiell që e bën këtë.”
Por një objekt që u ndez për një minutë të plotë ishte “me të vërtetë i çuditshëm”, theksoi shkencëtari.
ICRAR shtoi se pas kërkimit të të dhënave ekipi ishte në gjendje të vërtetonte se objekti është rreth 4000 vite dritë nga Toka, është tepër i ndritshëm dhe ka një fushë magnetike jashtëzakonisht të fortë.
Teoritë rreth asaj se çfarë mund të jetë objekti përfshijnë një yll neutron ose një “xhuxh të bardhë” – një term që përdoret për mbetjet e një ylli të shembur. Megjithatë, pjesa më e madhe e zbulimit mbetet një mister.