Në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, u shkëmbyen disa replika midis kryetares së Komisionit Grida Duma dhe deputetit socialist Ilir Metaj.
Ndërsa po shqyrtohej akti normativ për “Për miratimin e disa ndryshimeve të nënshkruara në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, anëtarëte opozitës në komision po shprehnin rezervat e tyre në lidhje me menaxhimin e deritanishëm të procesit të vaksinimit dhe dyshimit se a do arrihej të realizohej ky proces për sasinë e re që është vendosur të blihet nga Pfizer.
Pas ndërhyrjes së Ilir Metaj, pati replika mes tij dhe Grida Dumës.
I.Metaj: Më vjen mirë kur vë re se ndjeshmëria dhe pritshmëria e kolegëve opozitarë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, ka kaluar nga ajo ndaj “patjes” së Nard Ndokës- vizionar drejtues të shëndetësisë, tek “ a do arrijë Ministria të bëjë efektive gjithë sasinë e vaksinave që qeveria ka rritur të sigurojë?”. Kjo tregon standardet dhe nivelin e arritur nga kjo qeveri, që ka bërë që edhe opozita të ndryshojë pritshmëritë e ti kalojë në tjetër nivel…
G.Duma: Mos përmend drejtuesit e Shëndetësisë, sepse i fundit kur ne kemi patur pushtetin ka qenë një profesor i nderuar. Menaxhimi juaj i pandemisë ka qenë aspak rezultativ, dhe mos fol herë tjetër në këtë formë se nuk ta lejoj…
I.Metaj: Kryetare, jeni aty në rolin e spikeres, pra vendosni radhën e atyre që duan të flasin. Nuk jeni aty për të rregulluar jetën e opinionit tim. Unë them atë që mendoj, ashtu si e mendoj. Dhe mos tento më të më ndërpresësh fjalën.
G.Duma: Ta ndërpres sa herë të mos respektosh etikën…
I.Metaj: Etikën nuk e respektoni ju, që ndërprisni fjalën e anëtarëve. Unë nuk e kam bërë ndonjëherë, ndaj askujt kolegu. Mos tento më ta bësh.
G.Duma: Do ta bëj gjithmonë sa herë ta shoh të arsyeshme.
I.Metaj: Përkëdheljen jo këtu, bëjeni te Komisioni i Rithemelimit, ose PD. Këtu jemi Komisioni i Shëndetësisë.