Tre lojtarë të tjerë të Partizanit kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, duke e çuar në 5 numrin në total të lojtarëve në këtë ekip. Klubi ka njoftuar se Erald Çinari, Esat Mala dhe Kristi Kote janë të infektuar, por janë asimptomatikë.
“FK Partizani njofton rezultatet e testeve të kryera nga ekipi për COVID-19. Në total janë kryer 50 tamponë dhe nga përgjigjet zyrtare të konfirmuar nga ISHP tre pjesëtarë të ekipit Erald Çinari, Esat Mala dhe Kristi Kote kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe janë asimptomatikë. Pjesa tjetër e skuadrës, stafi dhe punonjës të klubit kanë dalë negativ.
Në zbatim të protokollit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lojtarët janë izoluar dhe nuk do të jenë pjesë e skuadrës për ndeshjen e radhës. Ekipi gëzon gjendje optimale dhe panvarësisht mungesave është gati për të dhënë maksimumin në derbin me Tiranën”, thuhet në njoftimin e klubit.