Shtëpitë dhe paratë e mijëra shqiptarëve, të futura në thasë plehrash. Lexoni në brendësi kush i ka braktisur këta thasë me logon Zig-Star në hollin e Ministrisë së Drejtësisë. Sa të tjera ndodhen në Qendrën e Biznesit STAR. Dyshohet se qindra pronarë të pasurive (toka, banesa) nuk janë njoftuar dhe nuk kanë asnjë dijeni në lidhje me tjetërsimin e pronave
Artikulli mbi investigimin e mega-mashtrimit financiar titulluar “Ujqërit e qendrës së biznesit STAR” përpara botimit synoi sintetizimin dhe bërjen publike të disa fakteve zyrtare që redaksia i gjykoi se shkonin në interes të opinionit publik.
Gazetaria e investigimit mbetet një zhanër i vështirë, sepse kërkon fakte dhe dokumentacion shumë të detajuar, veçanërisht kur kërkohet zbardhja e çështjeve që prekin interesa financiarë të qytetarëve e popullatës.
Por, historia e treguar për “djemtë e shkathët” të qendrës së biznesit STAR ka sjellë mega-reagime të opinionit publik, duke faktuar kësisoj si të vërtetë çdo fjalë dhe fakt të botuar.
Me qindra komentet, letrat, dokumentet dhe kërkesat për intervista lidhur me këtë temë kanë zënë në befasi dhe vetë stafin redaksional të gazetës Dita. Interesi i jashtëzakonshëm i opinionit publik përmbledh pjesëza jete të treguara dhimbshëm dhe fakte deri të pabesueshme të dërguara nga shkruesit e tyre.
Godina e emërtuar “STAR” tregohet nga komentuesit se ka pritur me qindra apo mijëra persona dhe e përbashkëta e të gjitha komenteve është se:
“aty njerëzit nëpërkëmbeshin që kur hynin deri sa dilnin”;
“djem dhe vajza anonime nuk prezantoheshin kurrë dhe vetëm na kërkonin para më shumë… më shumë!”;
“na rreshtonin si të dënuar të prisnim si dele dhe më pas na fusnin në zyra që survejoheshin me kamera dhe na bënin presion se do na shiteshin shtëpitë po nuk paguanim para që nuk i kishim marrë kurrë”;
“na tregonin një mënyrë për të na “lehtësuar” dhe zhbllokuar rrogën duke marrë kredi të tjera veç atyre që kishin patur nëpër banka, te dera përballë ku ishte MCA”.
Pa asnjë përjashtim, të gjithë tregojnë se godina STAR ishte “e paprekshme” nga shteti se megjithëse mund të ankoheshe kudo, asgjë nuk i gjente. Numrat e telefonave të njerëzve që quheshin debitorë, adresat e tyre, dhe telefonat e të afërmve, miqve, shokëve, fqinjëve, fejsbuket e tyre ishin në duart e shefave të “Qendrës së biznesit STAR”.
Një komentues tregon se, “As policia ku kam punuar dikur nuk i ka databazat e të dhënave të njerëzve si i kanë ata të STAR. Me siguri janë të lidhur me shtetin”.
Një viktimë e STAR tregon se, “kishin marrë në telefon gruan e pronarit tim duke e kërcënuar se po nuk dërgohej paga ime te MCA do sekuestrohej dhe gjobitej gjithë biznesi. Pronari më hoqi direkt nga puna për të mos patur probleme. Si e gjetën numrin e saj nuk e kuptova kurrë.”
Një tjetër i revoltuar tregon se, “merrnin në telefon djemtë e xhaxhit tim që kisha vite që kishim një ndasi familjare, duke i treguar dhe kërcënuar mbi borxhin tim që në fakt nuk e kisha fare pasi e kisha paguar njëherë te Prokredit”.
Shifrat e parave që kërkoheshin në qendrën STAR tingëllojnë të pabesueshme: “më kërkuan 680 mijë të vjetra te MCA dhe i pagova me pahir se më mbanin pagën, kur më kishin ngelur siç më thanë nga Procredit vetëm 44 mijë t’vjetra për një kredi që e kisha mbyllur me 1,3 milion nga 800 që kisha marrë dhe s’e kuptova përse përfundova te MCA dhe ADCA kur kredinë e kisha përfunduar”.
Të gjithë komentuesit pretendojnë se janë vjedhur nga MCA duke u kërcënuar nga ADCA dhe persona anonimë. Komentuesit dëshmojnë se si persona të panjohur nga MCA apo ADCA kanë dërguar vjedhurazi dhe hedhur zarfe poshtë dyerve të banesave, bizneseve, ose nuk i kanë sjellë fare duke sekuestruar direkt në banka dhe hipoteka rrogat dhe shtëpitë, por asnjëherë nuk dukeshin dhe të sqaronin arsyet e përmbajtjes së shkresave që të gjitha kishin logon: MCA – ADCA.
Një komentuese nga Gjirokastra që ka dërguar një dokumentacion të plotë të vjedhjes që i është bërë shkruan e irrituar: “Ju lutem ku mund të drejtohem të mblidhemi njëzëri të gjithë ne që po na bëhet kjo padrejtësi dhe ju të ngrini zërin tonë sepse nuk po e gjejmë dot të drejtën tonë!”
************** ******************
Prokuroria e Tiranës dhe Ministria e Drejtësisë kanë në duar dokumentet e plota të skemës së mashtrimit që krijuan në dëm të mijëra qytetarëve dy “djemtë e shkathët” Arben Meskuti dhe Olsi Ibro. Skema ka përfshirë 19 persona, më së shumti familjarë, por dhe viktima e bashkëpunëtorë të dy krijuesve të saj.
Të dhënat e dokumenteve që posedon redaksia janë tronditëse. 5800 dosje me materiale bankash dhe përmbarimi janë fotografuar të futura dhe të braktisura në mbi 100 thasë plehrash nga Arben Meskuti me logon Zig-STAR në hollin e Ministrisë së Drejtësisë. Dyshohet se mbi 5000 dosje të tjera mbahen peng i dyshes Meskuti- Ibro në Qendrën e Biznesit STAR. Janë pikërisht këto materiale bankash që për disa vjet detyrojnë mijëra qytetarë të marrin kredi të imponuar me mashtrim të minibankës MCA.
Dyshohet se qindra pronarë të pasurive (toka, banesa) nuk janë njoftuar dhe nuk kanë asnjë dijeni në lidhje me tjetërsimin e pronave të tyre si pasojë e proceseve fiktive të kryera nga “STAR-FS-MCA” të ndihmuar nga ADCA. Vlera e pronave të rrëmbyera në formë banke apo përmbarimi nga MCA e Olsi dhe Elda Ibros mund t’i kalojë miliona eurot.
Ministria e Drejtësisë ka zbërthyer skemën e mashtrimit duke e quajtur “Skema e shtrëngimit të qytetarëve për kredimarrje”.
Skema është ndërtuar duke përdorur në formë të lidhur dhe strukturuar veprime të koordinuara të avokatëve, përmbaruesve, agjentëve të institucionit financiar jo bankë, dhe nje agjencie mbledhje borxhesh: MCA, ADCA, ZIG, FLASH, FS, Re/Plus, Re/Max, Final, Consulting Company. Këto shoqëri të lidhura mes tyre nga Arben Meskuti dhe Olsi Ibro përmes kësaj skeme, kanë futur në një rreth vicioz me qindra qytetarë të përfshirë në procese fiktive përmbarimi dhe bankare, të cilëve ju është imponuar marrja e detyruar e kredive të reja të Micro Credit Albania. Dyshohet se skema përfshin dhe tjetërsimin e qindra pasurive të paluajtshme të debitorëve që nuk kanë dijeni ose janë jashtë shtetit, duke i kaluar në pronësi të MCA.
Skema është ngritur nga Arben Meskuti me disa role si, avokat, përmbarues, bankier (ADCA, ZIG, FLASH, FINAL) bashkë me notere Ernela Çuberi (bashkëjetuese) dhe Olsi Ibro me rolin e avokatit dhe themeluesit të ADCA bashkë me bashkëshorten Elda Ibro, kontabiliste dhe pronare e MCA.
Po kush janë dy individët që kanë krijuar gjithë këtë skemë dhe mijëra qytetarë nuk i njohin? Olsi Ibro dhe Arben Meskuti janë shumë diskretë dhe të padukshëm. Ata nuk i gjen dot. Nuk i takon dot kurrë, si shprehen dhjetra komente. S’kanë jetë të dukshme, sociale si dhe gjurmë të pamjes së tyre. Tipike e mashtruesve profesionistë.
Fakte që u munduam të gjejmë nga kërkimi online tregojnë mbi profilin e Arben Meskuti, i cili ka qënë në USA, dhe sipas faqes QKB, Arben Meskuti figuron se ka lindur në datën 6.10.1978 dhe identifikohet me kartën e identitetit shqiptare me nr. 033812213, sipas transaksioneve që ka kryer me “ADCA” me nuis K92012006Q, “ZIG” me nuis L02110003A dhe “Final” me nuis K81311012P.
Olsi Ibro, nuk figuron të jetë person i identifikueshëm me foto, rrjete sociale apo të dhëna të tjera zyrtare. Redaksia ka të dhëna se është vetëm 42 vjeç dhe ka lindur në Tiranë. Ai ka krijuar të gjitha kompanitë që i paraprinë dhe skemës së “ujqve” STAR, si ZIG COMPANY, COLLECTION COMPANY, ZLA CONSULTING, ADCA ZYRE AVOKATIE dhe MCA.
Ndërsa mijëra qytetarë janë zhveshur dhe denigruar në shumë aspekte të jetëve të tyre personale duke u ekspozuar si “debitorë kriminelë” nëpër familje, qendra pune dhe rrethe fqinjësie apo familjare, madje dhe duke u përgjuar, manipuluar psikologjikisht dhe financiarisht në zyrat e survejuara të Qendrës së Biznesit STAR, është detyra jonë që të tregojmë jo vetëm të vërtetën e tyre, por dhe t’u prezantojmë personat që nuk i njohën dot, asnjëherë.
Çdo ankesë e qytetarëve për këtë çështje, do të bëhet publike nga ana jonë, me pëlqimin paraprak të tyre. Presim një reagim zyrtar edhe nga autoritetet që mund të ndjehen po ashtu si qytetarët e shumtë, të mashtruar nga këta dy “gjeni” të padukshëm.