Sejfulla Myftari lindi me 25 shkurt 1952 në Skrapar, sot mbushi 73 vjeç, e ne i urojmë të festojë së më shumë vite të tjera!
Femijërinë e tij e ka kaluar në qytetin e Përmetit. Erdhi në artin e aktrimit nga Lëvizja Amatore. Portreti dhe mimika e tij komike, përdorimi i të folmeve krahinore të Shqipërisë së mesme, aftësia e shndërrimit nga roli në rol, gjetja e një larushie “maskash” nëpërmjet makijazhit, parukeve, veshjeve, objekteve të rekuizitës etj., ishin disa nga cilësitë që e afruan shpejt atë në Estradën e Beratit si aktor profesionist, ku debutoi për rreth 30 vjet. U bë një nga aktorët e mirënjohur të humorit në gjithë Shqipërinë ,falë një morie rolesh nga më të ndryshmet ,të luajtura me nur e hijeshi komike në skenë dhe në ekranin e televizorit .
S. Myftari ka shfrytëzuar me mënçuri gjetje e forma shprehëse aktoriale të natyrës së burleskes dhe të groteskut, me deformime, karikaturizimë dhe ekzagjerime komike, veçse duke mbetur përherë i natyrshëm dhe organik në sjelljet dhe gjestet e tij, të cilat kanë një vetjakësi të dallueshme.
Në radhën e roleve përfshihen rëndom tipa fshatarësh dembelë e hileqarë, matrapazë, burra me namuz e huqe të thuketa, hundëlesh, pijanecë, zyrtarë të korruptuar po ashtu njerëz të mprehtë e hokatare popullorë, që dinë të venë në loje të tjerët pa u kuptuar, sikundër janë verejtur në materiale të tilla humoristike, si: “Brigada e dalluar”, “Allo Llushnja”, “Kështu ruhet prona”, “Kryetari i kooperativës”, “Zotime për bujë”, “Në mal” etj.
Ka qenë po aq i suksesshëm edhe në disa filma humoristikë të regjisorit Arian Çuliqi, si: “Fundi i marrëzise”, “Gjithë fajet i ka paraja”, “Dashuri me krisma”, “Borxhliu”, “Një baba tepër”etj. Mban titullin “Artist i Merituar”. Aktori i madh i humorit, Sejfulla Myftari është nderuar nga ish Presidenti i Republikës Bujar Nishani me titullin “Mjeshër i Madh”.