Parlamenti Europian ka ndezur dje dritën jeshile për mbledhjen ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Eurodeputetët kanë diskutuar dje për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku nuk kanë munguar edhe zërat kundër vendit tonë.
Ajo që bie në sy është se reforma në drejtësi ka marrë vlerësimin më të lartë nga Bashkimi Europian. Në Tiranë janë të shumtë ata që e sulmojnë reformën, por të gjithë kanë marrë dje një goditje të fortë nga raportuesja për Shqipërinë, Isabel Santos. Ajo tha se është e rëndësishme që këto reforma të vazhdojnë duke theksuar se puna e SPAK ka dhënë rezultate të mira.
Santos u shpreh se SPAK me hetimet e rasteve të profilit të lartë ka dhënë një sinjal pozitiv për ecurinë e reformës. “Do të doja të nënvizoja thirrjen për të vazhduar përpjekjet e bëra për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Tani që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese kanë rifituar funksionalitetin e tyre dhe SPAK tashmë po punon, është e rëndësishme të vazhdohen këto reforma gjithashtu edhe ato në administratën publike. Lajmet e fundit tregojnë se SPAK ka qenë shumë aktiv duke hetuar shumë raste të profilit të lartë dhe duke dhënë disa rezultate të mira në këtë fushë dhe besoj se ky është një sinjal shumë pozitiv”, u shpreh Santos.
Ajo deklaroi se Bashkimi Europian është i impresionuar nga puna që është bërë në Shqipëri për korrupsionin dhe reformën në drejtësi. Sipas saj mënyra sesi shqiptarët kanë qenë në gjendje të zbatojnë reformën midis vështirësive si tërmeti dhe pandemia, kanë qenë mbresëlënëse. “BE është shumë e impresionuar nga puna e bërë në Shqipëri për luftën kundër korrupsionit dhe për reformën e sistemit gjyqësor. Sigurisht, këto reforma dhe ngritja e organeve si SPAK, do të japin rezultate në planin afatmesëm dhe afatgjatë.
Nuk mund të presim rezultate brenda ditës. Tani shpresojmë që ato të prodhojnë rezultate që ne besojmë se do të japin. Mënyra sesi shqiptarët kanë qenë në gjendje për zbatimin e reformave dhe ndryshimeve të kërkuara nga procesi i pranimit, përmes tërmetit dhe pandemisë, ka qenë shumë mbresëlënëse”, tha ajo.
Santos mesazh politikanëve
Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, ditën e djeshme kërkoi që politikanët të qëndrojnë larg krimit dhe korrupsionit. Ajo u shpreh se ky mesazh ishte për të gjitha vendet duke mos e përjashtuar as Shqipërinë. Santos listoi një sërë rekomandimesh të cilat sipas saj janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe forcimin e dialogut politik si dhe institucioneve demokratike.
“Është shumë e qartë se politikanët duhet të qëndrojnë larg korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky është një mesazh që shkon për të gjitha vendet dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Ne gjithashtu bëjmë një sërë rekomandimesh për tema që unë besoj se janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, si forcimi i dialogut politik dhe institucioneve demokratike, nevoja për të përmirësuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile, rëndësia e rritjes së niveleve të mediave dhe rritja e masave konkrete për të adresuar rënien demografike dhe largimin e trurit, ndër shumë të tjera.
Shpresoj që vendet anëtare mund të arrijnë një marrëveshje shpejt, duke marrë parasysh interesin më të mirë të Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, dhe gjithashtu duke marrë parasysh dëshirat e popullit shqiptar që janë qartësisht pro europiane ”, tha ajo.