Shpresa Bërdellima (1959-2019). Shpresa Bërdëllima ishte padyshim një nga emrat e aktoreve tona më të vlerësuara të teatrit dhe kinemasë shqiptare. Duke pasur një karrierë të suksesshme ndër vite, aktorja e nderuar është vlerësuar si nga kritika ashtu edhe nga publiku i gjerë shqiptar prej të cilit ajo ka ditur të fitojë zemrat e tyre, jo vetëm nga aftësia aktoriale por edhe nga natyra e saj spontane dhe me një elegancë të pashoqë.
Me të drejtë aktori i madh francez Michel Piccoli , kur e ka vënë re atë gjatë xhirimit të filmit “Pertej mureve të gurta”, pa ekzagjerim e ka emërtuar Shpresën si një Brigette Bardot shqiptare! E tillë ishte ajo në vitet 80-të teksa e kujtojmë në filmat e kinostudios, e në fakt Shpresa sëbashku me aktore të tjera të brezit të saj, partnere dhe mike të saja si E. Alikaj, R. Hyka, M. Makoçi, R. Bulku, L. Xhuvani, E. Diamanti, A. Markarian etj, ngjasonin si një “buqetë lulesh” plot aromë e freski e vendosur në sallonin e korifenjve të kinemasë shqiptare, pa të cilat vetë ky institucion i artit skenik nuk do të kishte kuptim.
Shpresa Bërdëllima ka lindur në Tiranë më 11 prill 1959. Aktiviteti i saj në film si ka dëshmuar edhe ajo vetë ka filluar që në moshën 16 vjeçare në filmin “Gunat përmbi tela” kur ka qenë akoma në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Që fëmijë ajo kishte dëshirën të bëhej aktore. Njerëzit që e rrethonin e dëgjonin dhe e shihnin me kureshtje se si kjo çupë e vogël recitonte, këndonte, kërcente dhe bënte edhe poza aktori.
Mbasi kryen gjimnazin , studjon për aktore në Insitutin e Lartë të Arteve. Më pas u angazhua në teatrin e estradës së Tiranës . Një dyzinë rolesh në këtë estradë , në skeçe e komedi, përkrah emrave të medhnj të kohës duke filluar me artistët e mëdhenj Skender Sallakun, dhe Melpomeni Çobanin, e më pas me Vasillaq Vangjelin, Veli Radën, Kosta Kamberin, Vegim Xhanin, Agim Bajkon etj .
Në kinematografi, e ka filluar me rolin e zonjushës Gajtani tek “Vajzat me kordele të kuqe”, roli i cili u ngulit në memorien e publikut duke e identifikuar atë vetë me personazhin e këtij filmi, spiunen Gajtani. Pastaj vijnë me rradhë edhe rolet e tjera si Asimeja tek “ Përtej mureve të gurta”; Vali ne “Era e ngrohtë e thellësive”; Liza ne “Kur hapen dyert e jetës” etj.
Ishte një nënë e lumtur me tre fëmijë, dy të fundit që kanë lindur në Belgjikë. Vajza e madhe e saj studion për inxhinieri në universitetin e Leuvenit. Vajza e dytë për “public relations”, ndërsa i biri është akoma në shkollën e mesme të Ekonomikut. Ndahet nga jeta në 27 tetor 2019.