Vetëm pak ditë më parë ju sollëm në vëmendje një tender të organizuar nga Blendi Gonxhja nëpërmjet DPSHTRR, në lidhje me blerje maskash për punonjësit e DPSHTRR, 14 Drejtorive Rajonale në varësi të saj dhe Task-Forcës, që ofrojnë shërbime për qytetarët.
Bëhet fjalë për një marrëveshje kuadër me një operator ekonomik, ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara, për një afat 16 muaj. Në këtë tender morën pjesë 16 kompani ku plot 4 prej tyre ofruan vlera më të ulëta sesa kompania fituese “INTERMED” e Petrit Mahos.
Kjo e fundit kishte ofruar një vlerë prej 8.010.000 lekë (të reja) pa TVSH. Mirëpo nëse shohim të dhënat teknike të tenderit, rezulton se me këto para janë kërkuar të blihen 500 maska FFP3, 1000 maska FFP2 dhe 300,000 maska kirurgjikale të thjeshta.
Por sa është në realitet vlera e këtyre maskave nëse do të bliheshin në treg? Çmimi i tregut i një maske FFP3 është 1000 lekë, maska FFP2 kushton 500 lekë ndërsa maskat e thjeshta kirurgjikale kushtojnë 10 lekë. Këto çmime janë pa TVSH. Le të bëjmë tani një llogari mjaft të thjeshtë.
Maska FFP3 500 maska x 1000 lekë = 500,000 lekë pa tvsh
Maska FFP2 1000 maska x 500 lekë = 500,000 lekë pa tvsh
Maska kirurgjikale të thjeshta 300,000 maska x 10 lekë = 3,000,000 lekë pa tvsh
Totali del 4.000.000 lekë të reja pa TVSH. Duke ditur këtë, si ka mundësi që Blendi Gonxhja ka shpallur fitues kompaninë e Petrit Mahos që ofroi 40 milionë lekë të vjetra pa TVSH më tepër sesa vlera e tregut?
Kjo diferencë mes vlerës së tregut dhe vlerës fituese është një dëm i pastër ekonomik. Nuk bëhet fjalë për pak, por për plot 40 milionë lekë të vjetra pa TVSH. Më së paku ky tender duhet të anulohet, dhe më së shumti Blendi Gonxhja duhet të përfundojë pas hekurave.
Në një kohë kur shqiptarët e gjorë i luten Zotit të mos sëmuren nga Covid-19 pasi nuk do të mund të përballonin dot kostot e kurimit, Blendi Gonxhja i dhuron kot 40 milionë Petrit Mahos. Ah, edhe diçka, ju lutem mos bëni shumë zhurmë sepse SPAK-u po fle. Faleminderit!/JOQ