Gjatë konferencës së sotme për shtyp, presidenti Meta njoftoi se do jetë kështu, pra në të njëjtën gjëndje shëndetësore, deri më 25 prill.
Pas këtij njoftimi, Bilushi i Metës bëri këtë njoftim për shtyp:
“Të dashur miq!
Siç e konfirmoi dhe vetë presidenti, ai do të vazhdojë të jetë në këtë gjendje deri më 25 prill.
Për të shmangur incidentet dhe për të qenë në rregull me të gjithë palët, po bëjmë disa njoftime për të marrë masat e duhura, si më poshtë:
-Të gjithë policët e ruajtes së objekteve që zaptohen nga dikush që është nga opozita, duhet të mbajnë një palë rroba civile rezervë, që nëse zaptuesi thërret presidentin, ata të vishen civilë, me qëllim që të shmangin konfrontimin fizik me të.
-Të gjithë gazetarët kritikë me presidentin, është mirë të mos i dalin përpara, të mos i vijnë në konferenca shtypi dhe të mos bëjnë akuza për të, pasi do marrin përgjigjen e merituar, që do të tmerrohen.
-Të gjithë ata këngëtarë popullorë që nuk kanë bërë këtë javë këngë për Ilir Metën, është mirë të mos shfaqen në mjedise publike dhe të mos organizojnë koncerte deri më 25 prill.
-Të gjithë ata qytetarë që kanë probleme me Policinë e Shtetit, që nuk mbajnë maskë, bëjnë aksidente, kapen pas orës së ndalim qarkullimit, kapen duke vjedhur nga halli se s’kanë bukë, apo gjëra të tjera, kanë në dispocion numrin e presidentit për të zgjidhur hallin, duke i hequr nga duart e policisë.
-Të gjithë ata qytetarë që kanë shitur më parë votën, duhet të jenë vigjilentë, pasi mund t’u shkojë dikush e t’u ofrojë lekë në emër të LSI-së.
Në asnjë mënyrë të mos i marrin pa i verifikuar njëherë, duke i telefonuar presidentit.
Në rast se nuk është i LSI-së, t’i pritet dora.
-Të gjithë ata qytetarë që nuk mbajnë për zile këngën për Ilir Metën, të shmangen nga takimet e opozitës, se mund të jenë provokatorë.
-Deklarata e presidentit, se deri më 25 prill do të jetë në këtë gjendje emocionale që është tani, nuk nënkupton që është doemos i çmendur, dhe as budalla.
Ai është i shqetësuar”.