1.2 ton kokainë janë sekuestruar mbrëmjen e djeshme në një super operacion në Greqi, ndërsa janë vendosur në pranga tetë trafikantë, shqiptarë dhe marokenë. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me DEA-n amerikane në Agrinjo, pranë Patras. Droga ishte fshehur në një kompleks dhomash plazhi të marrë me qira në fshatin Astakos pranë qytetit të Agrinjos.
Sipas medieve greke origjina e kokainës ishte nga Karaibet, ishujt Shën Vincent, ndërsa nga andej ishte transportuar me jaht drejt Greqisë nga karteli. Greqia ishte planifikuar që të ishte ndalesa e parë e kokainës, ku një pjesë do të mbetej në vendin fqinj, ndërsa tjetra do të shpërndahej, një pjesë në Europën Veriore dhe pjesa tjetër në Afrikën e Veriut. Por më herët policia greke kishte deklaruar se sasia e kokainës kishte ardhur nga Shqipëria me kontenier.
Por operacioni ende nuk ka përfunduar, pasi në kërkim është shpallur një 42-vjeçar grek. “Autoritetet greke po bashkëpunojnë në hetime për rastin edhe me palën shqiptare dhe atë spanjolle” citojnë mediet greke burime nga autoritetet në Athinë. Në shtator të vitit të kaluar u zbulua në portin e Pireut një tjetër sasie e madhe kokaine që ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Durrësin.
Ndërkohë që dje policia greke ka zbuluar një tjetër bandë shqiptaro-greke që trafikonte heroinë në Selanik, duke kapur rreth 24 kg heroinë. Në pranga të policisë kanë rënë 7 persona nga të cilët 4 shqiptarë dhe 3 grekë. Sipas policisë helene banda furnizohej me drogë nga Shqipëria dhe e shpërndante në qytetin e Selanikut dhe në disa qytete të tjera të Greqisë Veriore.