Sali Berisha duket se do të vijojë të jetë në syrin e drejtësisë. Dosja “Hajdari” është padyshim një nga çështjet më të bujshme që ka trembur ish-kryeministrin, por ka dhe disa çështje të tjera në prokurori e gjykata kundër tij.
I njëjti gjyqtar që bllokoi thirrjen e Berishës si dëshmitar në gjyqin e Izet Haxhisë, bllokoi dhe dosjen e “CEZ”, ku i akuzuar ishte ish-kryeministri dhe vartësit e tij.
Por teksa u duk se ashtu siç ka ndodhur rëndom ndër vite me rrugën Durrës-Kukës, Gërdecin, 21 Janarin, videon Meta-Prifti, etj. edhe kjo çështje do përfundonte në kosh, duke se nuk do të jetë aq e lehtë. Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit pranuan pushimin hetimeve nga ana e prokurorisë, por juristi Romeo Kara ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë një rekurs ku kërkon që hetimet të vijojnë.
Janë 16 emra të paditur nga ana e tij, ku në krye të listës qëndron ish-kryeministri Berisha. E reja e këtij rekursi është se zoti Kara kërkon që Gjykata e Lartë të urdhërojë marrjen në pyetje të Berishës dhe dosja të kalojë në SPAK. Pra përveç rastit të Izet Haxhisë ku kërkohet dëshmia e Berishës, e njëjta gjë po ndodh dhe me CEZ. “Përse vazhdojmë këtë proces, kur nuk është arritur as të pyetet Sali Berisha?
Kush ia ka dhënë atij këtë status alogjik dhe antinjerëzor në mes të Europës në shekullin e XXI, që ai të jetë i paprekshëm, i veçantë, mbi ligjin apo vetë ligji? Përse nuk u shoqërua ashtu siç ai e meriton dhe e parashikon ligji, në mënyrë të detyrueshme për të deklaruar? Si mund të shprehen të gjithë prokurorët e çështjes: Ç’më duhet mua ta çoj për gjykim atë dosje”, thuhet në rekurs.
Një tjetër detaj që vë në pah juristi është se prokuroria nuk ka marrë tabulatet telefonike për të vërtetuar ose jo telefonatat e ish-kryeministrit Berisha me sekserin Nuel Kalaj. Në rekurs është një listë e gjatë me argumente që tregojnë sesi prokurori ka mbyllur sytë para skandalit. Sipas juristi, Berisha e Kalaj kanë pasur mbi 100 telefonata mes tyre.
“As prokuroria dhe as gjykata, nuk e panë të arsyeshme, për të sekuestruar tabulatet telefonike të ish-kryeministrit Berisha dhe sekserit Nuel Kalaj, për të cilët u ofrua një informacion se, ata kishin folur mbi 100 herë brenda një muaji në vjeshtën e vitit 2005, lidhur me mundësinë e privatizimit të OSSH-së nga CEZ-Group.
Gjithashtu nuk u konfiskua as korrespondenca midis tyre dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë proces, përfshirë edhe përfaqësues të palës çeke. Nuk u kontrolluan as pasuritë e tyre, të analizoheshin dhe nëse rezultonin të pajustifikueshme, të sekuestroheshin edhe ato”, thuhet më tej.
Sherri me Rulin
Javët e fundit kemi parë përplasje të forta mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të tij Genc Ruli. Por në bazë të asaj që thuhet në dosje, çështja CEZ është ajo e cila ka krisur marrëdhëniet mes tyre. Ruli është marrë në pyetje nga prokuroria për këtë çështje duke u distancuar tërësisht. Ndërkohë juristi Kara tregon detaje të tjera të përplasjeve Berisha-Ruli, pasi sipas tij ish-ministri kërkonte privatizim nga një tjetër kompani. “Në vjeshtën e vitit 2006, sipas vetë Nuelit, ai për një muaj ka kontaktuar mbi 100 herë me kryeministrin e asaj kohe Sali Berisha, i cili pasi e dëgjoi propozimin e tij, ia delegoi këtë çështje ministrit Ruli. (Nuk di asnjë arsye që ta justifikoje prokurorinë lidhur me mosverifikimin e këtij fakti.
Çfarë e pengon prokurorinë dhe gjykatën që të mos e vlerësojnë këtë fakt shumë të rëndësishëm? Nuel Kalaj ka pretenduar se, ai është paguar për të ofruar informacione të vlefshme për sektorin energjetik në Shqipëri, por këto telefonata nuk besoj se kanë lidhje me atë çfarë pretendon ai. Si dhe kur është njohur ai me ish-kryeministrin Berisha, çfarë i ka lidhur bashke, përpara vitit 2005 dhe më pas, do të duhej të shqetësonin prokurorinë dhe gjykatën)”, thuhet në rekurs.
Por për juristin Kara, kjo dosje ka sjellë dhe përplasje Berisha-Ruli. Madje sipas tij, Ruli ka shpërthyer në të shara ndaj Nuel Kalajt. “Në takimin e parë me ministrin Ruli, Nuel Kalaj i ka deklaruar atij se: “Nuk kam ardhur këtu të më shikoni nga këpucët, por të diskutojmë mundësinë e privatizimit të OSSH-se nga CEZ-Group sipas rekomandimit të kryeministrit”. (E vërteta e ngjarjeve, flet në favor të kësaj shprehjeje të ofruar këtu dhe unë jam i predispozuar ta besoj tërësisht atë.
Janë provuar tashme njohjet dhe takimet edhe në publik të Nuel Kalaj me ish-ministrin Ruli, kemi foto dhe informacion, kemi dhe zëra se vetë ish-ministri Ruli ka shpërthyer përkundër Nuel Kalaj në korridoret e PD kur doli në drite kjo aferë. Vetëm prokuroria nuk është në dijeni të këtij realiteti. Ajo do të duhej t’i shtronte si çështje që duhet të merrnin përgjigje dhe jo ti injoronte ato)”, thuhet në rekurs. Sipas dosjes, më pas Nuel Kalaj ka kërkuar ballafaqim të tij me ministrin Ruli në prani të kryeministrit Berisha, kjo pasi ministri Ruli kishte filluar tratativat me kompaninë ENEL ENERGJIA.
E-mailet
Juristi Romeo Kara dhe Kuvendi i Shqipërisë në padinë që bërën për aferën e CEZ kanë dorëzuar si prova dhjetëra emaile mes vetë çekëve, apo mes tyre me Nuel Kalajn dhe përfaqësues të tjerë. Sipas padisë, në datën 15 Maj 2010 në orën 12:05, Nuel Kalaj i ka dërguar një e-mail Jozef Hejsekut, me subjekt: Report. “Në piken 6, faqe dy të këtij e-maili, Nuel Kalaj shprehet se: “z.Hejsek nuk e ka kuptuar se unë nuk mund të bashkëpunoj me njerëz të cilët janë tërësisht te implikuar në korrupsion dhe që japin informacione të rreme në lidhje me situatën”… Po kështu, ai paralajmëron Hejsekun se:
“Unë do ta çoj deri në fund atë çfarë kam nisur. Unë do të informoj Drejtorin e Përgjithshëm të CEZ-it, z.Martin Roman, kryeministrin e Shqipërisë, si dhe palët e interesuara”. Ai e mbyll këtë e-mail të gjatë prej rreth 6 faqesh me një paralajmërim për Jozef Hejsekun: “Mos u surprizoni z.Hejsek nëse nesër ju do të përballeni me gjykatën dhe të shpalleni person non grata në territorin e Shqipërisë.
Fillimisht unë do t’ia dërgoj këtë raport z. Merxhani. Pasi z. Merxhani të jetë informuar për situatën do të komunikohet me z.Hejsek, Martin Roman dhe institucionet shqiptare. Në këtë raport janë vetëm një pjesë e vogël e situatës, sepse nëse ne do të fillojmë një investigim, ai do te tronditë si tërmet kompaninë””, thuhet në rekurs.
16 zyrtarët e kallëzuar penalisht
1. Sali Berisha, ish kryeministër i Republikës së Shqipërisë;
2. Nuel Kalaj, sekser;
3. Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë
4. Mimoza Vokshi, anëtare e Grupit të Negociimit dhe ish drejtore në METE;
5. Suzana Guxholli, ish këshilltare e Kryeministrit Berisha;
6. Neritan Alibali, ish zv/ministër i METE-s dhe Kryetar i Grupit te Negociimit me CEZ-in
7. Alfred Rushaj, ish zv/ministër i Financave dhe anëtar i grupit të negociimit me CEZ-in;
8. Fatjon Tugu, anëtar i grupit të negociimit me CEZ-in dhe anëtar i komisionit të vlerësimit të ofertave;
9. Sherefedin Shehu, anëtar i grupit të negociimit me CEZ-in;
10. Asllan Sherra, anëtar i grupit të negociimit me CEZ-in;
11. Viktor Gumi, anëtar i grupit të negociimit me CEZ-in;
12. Miran Kopani, anëtar i grupit të negociimit me CEZ-in;
13. Bujar Nepravishta, anëtar i grupit të negociimit me CEZ-in;
14. Durim Kraja, ish Sekretar i Përgjithshëm i METE-s dhe anëtar i grupit të negociimit me CEZ-in;
15. Engjell Qorlaze, anëtar i komisionit të vlerësimit të ofertave;
16. Vasil Pano, anëtar i komisionit të vlerësimit ofertave.