Gjatë periudhës janar-maj 1999, në kulmin e mizorive të Millosheviçit ndaj shqiptarëve në Kosovë, ish-kryeministri Sali Berisha ‘harroi’ përkohësisht luftën me Fatos Nanon, ndërsa nisi një fushatë sulmesh kundër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sidomos ndaj Hashim Thaçit.
Krahas akuzave ndaj UÇK-së, e cila konsiderohej nga Berisha si bandë komuniste-marksiste, njësi guerile që kopjonte Che Guevar-ën në Kubë dhe lojë e njerëzve të Millosheviçit, gazeta Rilindja Demokratike, praktikisht zëri i Berishës, kishte nisur edhe një fushatë denoncuese, duke pretenduar për vjedhje të ndihmave për shqiptarët e dëbuar nga Kosova dhe që kishin zbarkuar në Kukës dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Në numrin e gazetës Rilindja Demokratike të datës 1 maj 1999, Berisha akuzon edhe Kastriot Islamin si pjesë e mafies së vjedhjes së ndihmave për refugjatët nga Kosova. Sot Berisha dhe Islami janë në një front opozitar. Në artikull me titull “Stefani e ha në vend të Islamit’, flitet për një zyrtar të qeverisë që ishte shkarkua nga Pandeli Majko, në atë kohë kryeministër, për abuzime me ndihmat.
Sipas ‘RD’, përgjegjës ishte Kastriot Islami dhe jo Stefani. ‘Mbetet që fajtori të kërkohej më afër kryeministrit, dhe, pikërisht tek Kastriot Islami, që në një mënyrë krejt të befasishme u caktua të merrej me menaxhimin e miliona dollarëve që kanë vërshuar për të ndihmuar në përballimin e krizës që shkarkoi mbërritja e qindra mijërave shqiptarëve të Kosovës të shpërngulur me dhunë nga rojet e tyre”, thuhet në artikull.
Në gazetën e Partisë Demokratike, të besuarit Berishës, artikulonin akuzat nga më të çuditshme me adresë të kundërshtarëve të tij të atëhershëm që nga Arben Imami, Sabri Godo, Neritan Ceka, Rexhep Meidani, Skënder Gjinushi etj.
Në 18 maj 1999, deputeti i PD, Jemin Gjana, akuzon Sabri Godon dhe Skënder Gjinushin për një plan për eliminimin e politik të presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova. Godo ishte në atë kohë një nga politikanët më aktivë në Kuvend, në mbështetje të luftës së UÇK-së në Kosovë. Godo drejtonte Partinë Republikane, e cila sot drejtohet nga Fatmir Mediu, aleat i Berishës.
Ndërkaq, disa figura që Sali Berisha sot i ka shpallur armiq dhe tradhtar, në atë kohë i shpallte përfaqësues të shquar të Kosovës. Berisha akuzon prej disa vitesh gazetarin Baton Haxhiu si agjent të Beogradit, bashkëpunëtor të Ramës dhe Thaçit, e cilëson Baton Stanishiq etj. Por, në vitin 1999, Berisha e konsideronte gazetarin Baton Haxhiun si përfaqësues i shquar i Kosovës.
Në një reagim për ‘RD’, Berisha i kërkonte qeverisë socialiste “të hapë media e saj, pasi unë jam këtu për të denoncuar këtu faktin se Bukoshi, Blerim Shala, Baton Haxhiu dhe shumë përfaqësues të shquar, për të cilët kanë mbajtur hapur ekranet RAI, BBC. Uorld, rrejte televizive gjermane, franceze etj., nuk kanë pasur mundësi të nxjerrin asnjë mesazh ndaj qindra mijërave shqiptarëve dhe njerëzve të tyre që ndodhen në Shqipëri apo në Evropë”.(Shqiptarja.com)