Po bëheshin disa kohë që një grup banorësh të Tropojës kanë ngritur zërin nëpër media dhe rrjete sociale, për një masakër ekologjike që po përgatitet ndaj lumit të Valbonës.
Të ndërtohen 11 hidrocentrale në gjatesinë e 25 kilometrave, do të thotë dënim kapital për lumin e njohur në mbare viset shqiptare! Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Lumi Valbona është si një Faltore e shenjtë e natyrës sonë të bekuar të Alpeve shqiptare.
Lumi bashkë me Luginën e vet ku rrjedh është një nga të paktat vende që kanë mbetur pa u dëmtuar, duke mundur të ruajnë bio-diversitetin. Vazhdimisht ka pasur kërcenime nga individë , gjuetarë të paligjshëm, tregtare të vegjël lëndësh drusore, që kanë synuar të përfitojnë në kohëra rrëmujash. Por për fat deri më sot dëmtimet kanë qenë jo të mëdha. Sot kjo pritet të ndryshojë.
Vendimi për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës është miratuar nga qeveria më 16 gusht të vitit 2013, pak muaj para se qeveria e djathtë të linte pushtetin që në zgjedhjet e 23 Qershorit u fituan nga e majta. Kjo është një kopje e vendimit me firmën e kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha lidhur me ndërtimin e HEC-ceve në Valbonë.
Rezulton të jenë dhënë 3 kontrata konçesionare të cilat parashikojnë ndërtimin HEC-eve në lumin e Valbonës. Të tre kontratat konçesionare janë nënshkruar dhe miratuar gjatë kohës së qeverisjes së Partisë Demokratike. Ato janë firmosur respektivisht nga Genc Ruli dhe Eno Bozdo përkatësisht në cilësinë e Ministrit dhe zv.ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Njëra prej kontratave konçesionare ka marrë lejen e ndërtimit nga KKT në vitin 2012. Kontrata e dytë ka marrë lejen e ndërtimit nga KKT në vitin 2014 ndërsa kontrata e tretë ende nuk ka leje ndërtimi të miratuar nga KKT-ja.
Kontrata e parë e firmosur nga Genc Ruli në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqëria “TPLANI” sh.p.k.
Hidrocentrali “Valbona” do të ndërtohet në lumin e Valbonës, rrethi Tropojës, me këto karakteristika: Kuota e veprës së marrjes 865 m dhe kuota e godinës së centralit 824 m. Fuqia e instaluar 2300 kW ndërsa prodhimi vjetor i energjisë 11,028,240 kWh.
Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), me vendimin Nr.1, datë 07.04.2012 ka miratuar “Studimin Urbanistik Pjesor, Leje Sheshi dhe Leje Ndërtimi për Hidrocentralin “HEC Valbonë”, Komuna Margegaj, Qarku Kukës.
Kontrata e dytë: E nënshkruar më datë 27/07/2009, bazuar mbi V.K.M nr.753, datë 07.11.2007 “Për përcaktimin e Autoritetit Kontraktues për dhënien me konçesion të hidrocentralit Dragobia”. (http://qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2007/PDF-2007/155-2007.pdf)
Kontrata është firmosur nga Genc Ruli në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqëria “Gener 2” sh.p.k. Sipas kontratës, hidrocentrali Dragobia do të ndërtohet në Lumin e Valbonës, rrethi Tropojë, me këto karakteristika:
Kuota e veprës së marrjes: a) Në përroin Çeremit 963 m; b) Në lumin e Valbonës 573 m; c) Në përroin e Matinës 850 m; d) Në përroin e Milloshit 1000 m ndërsa kuota e godinës së centralit 535 m.
Fuqia e instaluar 22760 kW ndërsa prodhimi vjetor i energjisë 116,014,456 kWh.
Këshilli Kombëtar i Territorit P(KKT), në datën 08.04.2014 ka miratuar vendimin Nr.6 për miratimin e Lejes Zhvillimore komplekse për ndërtimin e hidrocentralit “Dragobia”, komuna Margegaj, Qarku Kukës.
Kontrata e tretë: E nënshkruar në datën 15.08.2013 nga zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës Enno Bozdo dhe shoqëria koncesionare “Valbona Project Company” sh.a.
Më datën 16.08.2013, Këshilli i Ministrave ka nxjerrë vendimin Nr.680 “Mbi miratimin e kontratës së koncesionit, të formës BOT, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe Shoqërisë Valbona Project Company” shpk për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Valbona.
Karakteristikat teknike: Fuqia e instaluar 51040 KW dhe prodhimi vjetor 245 726 989 KWH. Hidrocentralet që projektohen të ndërtohen në Valbonë dhe përrenjtë e saj janë:
HEC- 9A Valbonë; HEC- 9 B Otergi i Dragobisë; HEC-13 Otergi i Kaut; HEC-10 Valbonë; HEC-11 Valbonë; HEC-14 Shudenica në malin Potkuq; HEC-15 Shudenicës; HEC-12 Valbonë dhe HEC-16 Shpella e Kaur
Në fjalën e tij në Kuvend në Prill 2019, kreu i Qeverisë solli në vëmendje protestat e banorëve të Valbonës, për ndërtimin e HEC-eve.
“U bënë protesta më shumë se muaj për HEC-et në Valbonë. Nuk u bënë protesta kur u dhanë licencat e HEC-eve dhe u dhanë nga burri atyre maleve, Saliu.
Ai i dha dhe kur diskutohej për Valbonën këtu, si skuth fuste kokën mes shpatullave duke gërmuar Ipad-in. Ne morëm përsipër përgjegjësinë dhe bëmë sa mundëm, sa herë që kemi kontaktuar dhe me firmat dhe kemi anulluar plot e plot, por jo pasi jane mbyllur kontratat, sepse per nje kontrate te mbyllur, shteti duhet te paguaje ne arbitrazhe nderkombetare shume me teper se sa çfare mund ta imagjinosh ne endrren me te keqe!
Por sot Gjykata e Lartë ka vendosur të pezullojë punën për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë.
Në vendimin e marrë këtë të martë, Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesën e banorëve të 27 fshatrave të Bashkisë Tropojë dhe Shoqatës “TOKA”, Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare, të përfaqësuar nga zyra e avokatisë KALO & ASSOCIATES, për kundërshtimin e projektit të ndërtimit të 2 hidrocentraleve Dragobia dhe Cerem në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës nga shoqëria koncesionare Dragobia Energy SHPK.
Kjo shoqatë dërgoi kërkesë-padi në Gjykatën Administrative në vitin 2017, ndërsa sot Gjykata e Lartë ka marrë vendimin, duke pezulluar ndërtimin e HEC-eve.
Kështu, Gjykata njofton sot se ka vendosur “Pranimin e kërkesës së palës paditëse për marrjen e masës së sigurimit të padisë për pezullimin e kontratës së koncesionit dhe shtesave të saj dhe lejeve të përmendura në pikat 3-6 të objektit të kërkesëpadisë, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë”. /Ekskluzive.al