Goditjet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë duket se kanë nisur me përfaqësuesit e LSI-së. Kjo parti gjithmonë është akuzuar për shkelje dhe abuzime në administratë, por duket se tani do të nisë edhe ndëshkimi. Janë pa fund skandalet ku janë përfshirë drejtorë të LSI.
Vetë Meta është i pari që doli në një video ku flitet për 700 mijë euro, ndërsa më pas nuk kanë munguar paditë. Ministria e Drejtësisë akuzoi Ylli Manjanin dhe Petrit Vasilin për shkelje me tendera, ndërkohë që i pandehur pak kohë më parë u mor ish-kreu i ARRSH.
Vetë KLSH ka kallëzuar me dhjetra drejtorë të LSI. Por teksa ndër vite të gjithë ja kanë hedhur paq, duket se tani do jetë e vështirë. Një ndër dosjet që ka marr në dorë Prokuroria e Posaçme është ajo e akuzave ndaj ish-kryetares së Bashkisë Gjirokastër, Zamira Rami, e cila vjen nga LSI. Në vitet 2015- 2019 Rami ka qenë në krye të Bashkisë së Gjirokastrës. Gjatë kësaj periudhe, qytetarët kallëzuan kryebashkiaken për veprën penale “Shpërdorim të detyrës”, pasi Zamira Rami në postin e kryetares së bashkisë ka dhënë leje për prishjen e disa objekteve private, dhe rrëzimi i objekteve në fjalë është kryer pa marrë një vendim shpronësimi.
Gjithashtu është bërë me dije se nga ana e Bashkisë Gjirokastër, objektet e prishura nuk janë shpronësuar nga buxheti i bashkisë. Lidhur me këtë problem, pronarët e objekteve të shkatërruara me leje të bashkisë bënë kallëzim penal dhe pas nisjes së hetimeve, ish-kryebashkiakja Zamira Rami është marrë e pandehur dhe është dërguar në Gjykatën e Gjirokastrës, por që në seancën paraprake trupa gjykuese vendosi ta kthejë çështjen për rihetim, ndërsa organi akuzës vendosi përfundimisht të shpallë moskompetencë.
Vasili thirrje ndërkombëtarëve
Por kalimi i dosjes te SPAK ka alarmuar LSI. Nënkryetari Petrit Vasili, gjatë një konference për shtyp sulmoi sistemin e drejtësisë në vend, që sipas tij, po mbron korrupsionin në vend, duke marrë vendime skandaloze.
“Të gjithë pa përjashtim, mbi 90% kanë mbështetur dhe mbështesim reformën në drejtësi. Po kështu edhe politika shqiptare e demonstroi më 21-22 korrik me 140 votat e saj që mbështeste reformën në drejtësi. Tani kemi hyrë në vitin e katërt të kësaj reforme, por konstatohet se ngjarje shumë të rënda, vendimeve skandaloze, institucione të bllokuara dhe pandëshkueshmëri që thellohet e që ka thelluar më tej në mënyrë dramatike korrupsionin në Shqipëri. Kemi një drejtësi e cila nuk ndëshkon ata që neglizhuan paralajmërimet e Presidentit dhe dhanë garanci të rreme dhe shteti rezultoi tërësisht i papërgatitur për të përballuar katastrofën dhe për të shpëtuar jetë njerëzish. Ndaj tyre nuk ka asnjë qëndrim, nuk ka asnjë përgjegjës, nuk ka asnjë hetim”, tha Vasili, ndërsa nuk kurseu as thirrjet për ndihmë.
Vasili në kuadër të situatës i bëri thirrje ndërkombëtarëve që të ngrenë një komision hetimi monitorimi në reformën në drejtësi. “Ndaj sot, kjo reformë që ka hyrë në vitin e katërt të saj, duhet shpëtuar patjetër për të mirën e popullit shqiptar, dhe ne kërkojmë qartë dhe prerë, ngritjen e një komisioni hetim-monitorimi të BE-së dhe SHBA-së për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për përdorimin e fondeve pa fund në dispozicion të saj. Ne kërkojmë ngritjen e këtij komisioni hetim-monitorimi BE-SHBA, sepse: Gjykatat më të larta, Kushtetuese dhe ajo e Lartë nuk funksionojnë dhe zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është sulmuar për tu kapur nga Rilindja duke tentuar të rrëmbejë edhe kompetencën e presidentit për këtë qëllim”, deklaroi ai.