Kryeministri, Edi Rama në një intervistë për Euronews Albania ka deklaruar se ende nuk e di se sa do të zgjasin masat kufizuese që janë marrë për koronavirusin. Rama nga ana tjetër tha se numri i testeve po kryhen sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe aktualisht jemi në mesataren e vendeve të rajonit.
Për masat financiare për të prekurit nga këto masa, kryeministri theksoi se do të bëhet gjithçka, që atyre që nuk kanë shkuar në punë nga COVID-19, t’u kompensohet çdo ditë. Plani pritet të prezantohet nga qeveria këtë të enjte.
“Shqetësim tani është paga e atyre që janë në shtëpi, por duhet të kenë besim sepse po ndërtojmë instrumentin financiar për të kompensuar çdo ditë të humbur nga puna, jo për shkak të tyre, as kompanisë, as qeverisë por për shkak të luftës”, theksoi z. Rama gjatë intervistës.
I pyetur se çfarë mendimi ka për 8 pikat e propozuara nga Partia Demokratike për përballim e kësaj situate, kreu i mazhorancës tha se ato shkojnë përtej mundësive të buxhetit të Shqipërisë duke shtuar se, do të bëhet gjithçka por pa dëmtuar të nesërmen e vendit.