Sot është ditëlindja e aktores Anisa Markarian të cilës i urojmë të festojë sa më shumë vite të tjera!
Anisa Markarian (1962). Aktore. Lindi në Tiranë. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, por me të dhënat e saj organike si aktore u tërhoq shpejt nga regjisorët e kinematografisë, duke iu ofruar role kryesore.
E nisi së pari me rolin kryesor të Dhuratës, në filmin “Vajzat me kordele të kuqe”, por roli që e bëri të njohur duke i dhënë një sukses të bujshëm para spektatorit të atyre viteve, ishte ai i Zanës në filmin “Në çdo stinë” (1980), me të cilin ajo fitoi edhe kupën e festivalit.
Këtu spikati aktrimi i saj i natyrshëm, natyra poetike, bukuria dhe hijeshia femërore, ndjenjat e holla dhe, herë-herë edhe tonet dramatike.
Këto të fundit do të përthyheshin e thelloheshin më tutje te roli më i arrirë i saj, Irena në filmin “Pranvera s’erdhi vetëm” (1988), ku ishte njëkohësisht bashkëskenariste me Remzi Lanin. Aktrimi i saj fitoi një vështrim psikologjik realist, i shoqëruar pa artificë nga ndjesia e dhimbjes për jetën, e vetëdijesimit ndaj vdekjes si dhe e fisnikërisë e dhembshurisë nejrëzore.
Me këtë rol fitoi sërish kupën e festivalit si aktorja më e mirë femër.
Vijoi të aktronte në po keto hulli edhe në filmin “Ngjyrat e moshës”, me rolin e Ketit, ku tanimë ishte edhe autorja e skenarit. Pas ndryshimeve demokratike që ndodhen në vend në vitet ’90, emigroi në Paris, ku jeton aktualisht, e shkëputur tanimë nga projektet kinematografike.