Sali Berisha nuk është i ftuar në festën kombëtare të Francës më 14 korrik. Ambasadorja franceze në vendin tonë, Elisabeth Barsacq e ka bërë të qartë qëndrimin e tyre, nuk e njohin një person të shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Barsacq u shpreh se SHBA është aleati më i mirë Francës dhe nuk do të dalin kundër tyre.
“Ne nuk ftojmë persona që janë objekt – dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me personin në fjalë – por ne nuk ftojmë persona që janë objekt i një situate të veçantë përkundrejt Shteteve të Bashkuara, domethënë, pa akses në territorin e SHBA” – tha ambasadorja për gazetarin Endri Xhafo.
E pyetur nëse Berisha duhet hetuar apo dënuar, Elisabeth Barsacë u shpreh se: “Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen shqiptarët. Nuk më takon mua. Unë vëzhgoj se çfarë bëjnë shqiptarët”.
Më 19 maj 2021 Sali Berisha u shpall ‘Non Grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me akuza të forta se gjatë kohës që ishte kryeministër është përfshirë në akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike, minim i demokracisë dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë shqiptare dhe institucioneve. Bashkë me Sali Berishën DASH u ndaloi hyrjen në SHBA edhe Liri Berishës, Shkëlzen Berishës dhe Argita Malltezit.