Destinacioni i radhës i Yuri Kim si ambasadore e SHBA në Shqipëri, ishte Durrësi. Ambasadorja amerikane vizitoi zonën e shkatërruar nga tërmeti, ndërsa u shpreh se qëllimi ishte që të shikonte nga afër dëmet që janë shkaktuar nga tërmeti fatal i 26 nëntorit, por jo vetëm.
Ambasadorja Yuri Kim theksoi se e rëndësishme gjithashtu ishte të shikonte edhe mënyrën si po menaxhohen këto dëme. Ambasadorja e SHBA-ve, nga zona e shkatërruar tha për mediat se shqiptarët janë miqtë e Amerikës, dhe ndihma e këtij vendi për tërmetin e 26 nëntorit ka qenë e pakursyer.
“Ne donim të vinim këtu për t’i shprehur solidaritetin popullit të Durrësit pas tërmetit të 26 nëntorit. Miqtë festojnë së bashkuar, por është më e rëndësishme që ata të ndihmojnë njëri-tjetrin kur kanë nevojë. Kam ardhur për të parë jo vetëm dëmet, por edhe përpjekjet që po bëhen për të rikuperuar dëmet. Ju jeni miqtë e Amerikës, ndihma jonë erdhi menjëherë pas fatkeqësisë. U preka shumë kur pashë kontributet që ne po japim dhe ne jemi shumë krenarë që në kutitë e ndihmave tregohet që kjo është një dhuratë nga populli amerikan. Ushtarakët tanë kanë pasur mundësi të ndihmojë ndërsa përveç atyre që ndihmuan për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat ne sollëm edhe ekspertë”, tha Yuri Kim.
Ambasadorja e SHBA-ve dje gjithashtu zhvilloi edhe një takim për rreth dy orë me kryeministrin e vendit, Edi Rama. Lajmin e bëri me dije ambasada amerikane. “Në vizitën e sotme prezantuese me kryeministrin Rama, Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim pati mundësinë të përvijojë prioritetet e SHBA në Shqipëri: të ndihmojë Shqipërinë për tu bërë një aleate më e aftë në NATO dhe një bastion më i fortë sigurie; mbështetje për zhvillimin demokratik dhe sigurimin e zbatimit të duhur të reformave në drejtësi; dhe rritjen e mundësive të biznesit për shqiptarët dhe amerikanët. Ajo falenderoi Kryeministrin për përpjekjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë në çuarjen përpara të prioriteteve tona të përbashkëta”, shkruan ambasada. Gjithashtu, ambasadorja ka takuar edhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Kështu njoftoi ambasada amerikane në vend, duke bërë të ditur se tema e bisedës ka qenë synimi i misionit për rritjen e lidhjeve të biznesit dhe investimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.