NGA RIGELS SELIMAN
Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka zbritur dje në terren për t’u njohur më afër mbi situatën politike dhe jovetëm, në të cilën ndodhet Shqipëria. Pasi i dorëzoi letrat kredenciale dy ditë më parë presidentit Ilir Meta dhe pas konferencës së saj të parë për shtyp, ku shpalosi disa detaje nga prioriteti i punës së saj si ambasadore.
Ditën e djeshmeZonja Yuri Kim zhvilloi takime prezantuese me ministrin në Detyrë të Punëve Europiane dhe të Jashtme, Gent Cakaj; ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Gazeta ka mësuar se në 2 takimet e para fokus kryesor ka qenë ndikimi rus në Shqipëri dhe çështja e Iranit, pas raporteve të tensionuara që janë krijuar mes Tiranës dhe Teheranit. Kur doli para Senatit si e nominuar për ambasadore, diplomatja Kim thekoi se një ndër prioritet e saj është ndikimi rus dhe mbajtja larg e Shqipërisë ndaj këtyre vendeve të treta, ndërkohë që duket se kjo çështje ka qenë kryefjala qysh në ditën e dytë të punës së saj. Burime nga këto takime, theksuan se ambasadorja amerikane është informuar nga ministrat shqiptarë për masat e marra nga autoritetet sa i takon ndikimit rus dhe rrezikut që kanoset nga Irani, ndërkohë që ka garantuar palën shqiptare se SHBA-të janë krah Shqipërisë dhe se siguria kombëtare e vendit tonë është tejet e rëndësishme për Amerikën. Në këtë kontekst, mësohet se zonja Kim ka garantuar autoritetet shqiptare se SHBA-të janë krah Shqipërisë, ndërsa ka inkurajuar vijimin e reformave, sidomos ato integruese.
SHBA mbështet reformën në drejtësi
Por informimi mbi masat e marra nga pala shqiptare sa i takon ndikimit rus dhe Iranit, nuk ishin e vetmja temë tek e cila janë fokusuar takimet që ka pasur ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim me tre zyrtarët e lartë shqiptar. Pjesë e diskutimeve në këto takime ka qenë edhe reforma në drejtësi dhe angazhimet e Shqipërisë në NATO. Ka qenë vetë ambasada e SHBA, e cila përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale, bëri me dije se gjatë këtyre tre takimeve, zonja Kim vlerësoi dhe rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara në ndihmë teknike për zbatimin e reformës në drejtësi, ndërsa premtoi mbështetje të vazhdueshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. “Ambasadorja e SHBA zhvilloi sot takime prezantuese me ministrin Gent Cakaj, ministren Olta Xhaçka dhe ministren Etilda Gjonaj.
Gjatë takimeve, ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e Shqipërisë si një aleate e NATO-s dhe mbështetjen e saj të rëndësishme në misionet tona të përbashkëta. Ambasadorja gjithashtu rikonfirmoi angazhimin e SHBA në ndihmë teknike për zbatimin e reformës në drejtësi dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA. Pra, edhe pse ka dy ditë në Shqipëri si ambasadore, zonja Yuri Kim po tregon se për SHBA-të reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë prioritet dhe të panegociueshme.
Reagon Xhaçka
Por detaje nga takimi që zhvilloi me ambasadoren Yuri Kim, dje ndau edhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Kjo e fundit përmes një statusi në rrjetet sociale vlerësoi angazhimin e ambasadores Kim në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Amerikës, veçanërisht në fushën e Mbrojtjes. “Është fat për ne, që SHBA-të përfaqësohen në Shqipëri me një zonjë të kalibrit të ambasadores Kim dhe jam optimiste që falë punës e angazhimit të saj, bashkëpunimi e partneritetit mes Departamenteve tona të Mbrojtjes do të vijojë e do të fuqizohet akoma më shumë, duke ndihmuar në modernizimin e FA dhe duke i mundësuar Shqipërisë të japë një kontribut gjithmonë e më të madh për sigurinë, stabilitetin e paqen krah për krah aleatëve tanë amerikanë”, deklaroi Xhaçka./Sot