“Ndihem e nderuar dhe shumë e kënaqur që jam në Shqipëri dhe jam gati t’i përvishem punës”.
Kështu është shprehur ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, në ditën e saj të parë në Ambasadë.
Ambasada ndërkohë, ka publikuar edhe një biografi të shkurtër të ambasadores Kim.
Biografia e publikuar nga Ambasada
Yuri Kim mbërriti në Tiranë si ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë në janar 2020.
Ambasadorja Kim, një diplomate karriere, ka punuar mbi sfida kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në mbarë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.
Ka qenë drejtoreshë e Çështjeve të Europës Jugore dhe ka mbuluar Turqinë, Greqinë, Qipron dhe më gjerë rajonin e Mesdheut Lindor; si drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve Europiane të Sigurisë dhe ato Politiko-Ushtarake, ka mbuluar NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).
Më parë ka qenë shefe e Kabinetit e zëvendës sekretarit të Shtetit dhe drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Administrimit të Diplomacisë.
Më herët në karrierën e saj, ka qenë ndihmëse e Posaçme e sekretarit të Shtetit Colin Powell, si dhe ndihmëse e Posaçme e ndihmës sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.
Mandatet e saj jashtë SHBA përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën.
Yuri Kim ka një diplomë bachelor nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit.
(TemA)