Ambasada amerikane ka dalë dje me një thirrje të fortë për shtetasit e saj sa i takon tubimit të 2 marsit të thirrur nga presidenti Ilir Meta. Përmes një njoftimi të shpërndarë në faqen e saj zyrtare, ambasada e SHBA në Tiranë këshilloi qytetarët e saj që të bëjnë kujdes dhe të shmangin zonën ku do të zhvillohet protesta.
Ndonëse presidenti Ilir Meta prej disa javësh po u bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen në datën 2 mars në një tubim qytetar në mbrojtje të Kushtetutës, por ambasada e SHBA thekson se është një tubim politik. Selia diplomatike duke iu referuar edhe protestave të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroi se 2 marsi mund të jetë një demonstratë e dhunshme. “Pika e grumbullimit që është lajmëruar është bulevardi Dëshmorët e Kombit. Tubimi politik pritet të zhvillohet në 2 Mars 2020 duke filluar rreth orës 17:00 pasdite. Kohëzgjatja e tubimit të pritshëm nuk dihet. Në demonstratat e kaluara ka pasur dhunë. Forcat e sigurisë kanë përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat. Shmangni vendet e mundshme të protestës përfshirë Bulevardin Kombëtar. Monitoroni median për azhornimet. Jini të vëmendshëm dhe mbani një profil të ulët”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane për qytetarët e saj në Shqipëri.
Reagon Presidenca
Por pas deklaratës së fortë të ambasadës amerikane në Tiranë reagoi edhe Presidenca. Zëdhënësi Tedi Blushi përmes një postimi në rrjetin social u shpreh se kohëzgjatja e protestës do të jetë vetëm dy orë, ndërsa shton se nuk ka vend për asnjë alert për qytetarët shqiptarë dhe të huaj duke iu përgjigjur ambasadës së SHBA-së. Por Blushi dha edhe shifra për pjesëmarrjen e protestuesve në 2 mars, duke deklaruar se do të jenë edhe 200 shqiptaro-amerikanë, të cilët sipas tij kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
“Asnjë alert për datën 2 mars, për qytetarët shqiptarë dhe të huaj që jetojnë dhe do të mbërrijnë në Tiranë! Përkundrazi, jemi shumë të lumtur që këtij Manifestimi madhështor Mbarëkombëtar do t’i bashkohen edhe mbi 200 shqiptaro-amerikanë, të cilët na kanë konfirmuar pjesëmarrjen në 2 mars dhe një pjesë e të cilëve sapo kanë mbërritur në Atdhe. Dhe me të drejtë, sepse për liritë dhe vlerat amerikane, ata nuk mund t’i marrin leje as Rilindjes dhe as ndonjë segmenti të Sigurimit të Shtetit, kudo që ai të ndodhet! Gjithashtu, mund t’ju konfirmoj se sot paradite presidenti Meta me kërkesën e tij ka pritur në takim drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, duke u konfirmuar bashkëpunimin maksimal të Institucionit dhe të tij, për mbarëvajtjen e këtij Manifestimi madhështor Mbarëkombëtar në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë”, tha Blushi.
Mbrojtja e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme
Më tej zëdhënësi i Presidencës u shpreh se godinat e Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë do të mbrohen nga aktivistë të identifikuar në mënyrë që të shmanget çdo lloj incidenti, duke shtuar se tubimi do të jetë vetëm kundër atyre që janë tallur me Kushtetutën e Shqipërisë. “Çdo detaj është i mirëpërcaktuar me kohë. Manifestimi fillon në ora 17:00, me flamuj kuqezi dhe mimoza në duar, e përfundon në ora 19:00. Godina e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme do të mbrohen nga aktivistë të identifikuar. Shtetasve të huaj, veçanërisht atyre shqiptaro-amerikanë që do të marrin pjesë do t’u dhurohet një degë mimoze dhe një Kushtetutë e Shqipërisë, e votuar me 140 vota dhe me bekimin e Komisionit të Venecias, SHBA-ve dhe BE-së. Alerti i vetëm i 2 marsit, është për puçistët që tallen me Kushtetutën dhe sovranitetin e popullit shqiptar duke miratuar apo bekuar pabesisht ligje anti-kushtetuese! Të gjithë më 2 mars për Kushtetutën dhe kundër grushtit të shtetit. Për Shqipërinë dhe sovranitetin e popullit shqiptar! Zoti e bekoftë miqësinë e palëkundur shqiptaro-amerikane! Pa Kushtetutë nuk ka demokraci! Pa demokraci nuk ka Shqipëri”, tha Blushi./ELISJEDA KIKO