Ballkani Perëndimor është përfshirë nga protestat e dhunshme. Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe përplasjet e forta mes Kosovës dhe Serbisë kanë ndezur rajonin. Gazeta e paralajmëroi një ditë më parë se kaosi dhe tensionet janë “arma” më e mirë për presidentin rus Vladimir Putin për të destabilizuar rajonin.
Alarmin për një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës së rëndë në Ballkan e ka dhënë edhe Brukseli. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka thënë se protestat mund të përdoren nga aktorë të tjerë të huaj si dhe nga Rusia.
“Kur Shtetet Anëtare të BE dështojnë të japin shpërblim të prekshëm për qeveritë progresive në Ballkanin Perëndimor, ne kemi trazira në Maqedoninë e Veriut dhe potencialisht Mal të Zi që mund të shfrytëzohen nga Rusia dhe aktorë të tjerë të huaj. Ka ardhur koha që Bashkimi Europian të kuptojnë dhe të përshpejtojnë veprimet e integrimit”, shkroi ditën e djeshme eurodeputetja në Twitter.
Maqedonia përfshihet nga kaosi
Protestat e dhunshme vazhduan edhe të mërkurën në mbrëmje në Shkup, për të penguar miratimin e propozimit francez për një kompromis midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që do t’i hapte rrugën fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në sheshin Skënderbej të Shkupit pati të shtëna me armë zjarri, që nxiti më pas një shkëmbim të ashpër akuzash mes opozitës dhe partive në pushtet. Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se kishte qenë në shënjestër të sulmit me armë.
Në një konferencë shtyp Mickovski e drejtoi gishtin nga qeveria, për sulmin që sipas mediave ka si autor një shtetas shqiptar të Maqedonisë së Veriut. “Prej shumë kohësh kam marrë njoftime për përpjekje për eliminimin tim dhe ajo pistoletë sot, më kishte mua në shënjestër. E gjitha kjo është planifikuar nga pushteti sepse policia mungonte, kur personi filloi të hapë zjarr.
” Policia ka vënë në pranga personin që dyshohet të jetë përfshirë incident, ndërsa forcat speciale ndërhynë për shpërndarjen e grupit të protestuesve. Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate në pushtet ka ngritur dyshime se VMRO-ja po sajon incidente për të përshkallëzuar situatën dhe tha se personi i armatosur, është vëllai i një funksionari të Aleancës për Shqiptarët, për të cilin LSDM thotë se ka bërë fushatë për VMRO-në.
Protesta të dhunshme pati edhe para parlamentit të Maqedonisë së Veriut, ku u hodhën gurë dhe mjete piroteknike. Autoritetet thonë se dy pjesëtarë të policisë kanë marrë lëndime. Opozita maqedonase, VMRO-DPMNE dhe e Majta vazhdojnë të bëjnë thirrje për protesta të përditshme dhe me pjesëmarrje të madhe.
Tensione të forta dhe në Mal të Zi
Mal të Zi pritet të përballet me një krizë tjetër të rëndë. Kanë plasur protesta të forta në Podgoricë, gjithashtu paralajmërime të forta kanë ardhur nga ndërkombëtarët. Vetëm pak muaj pasi situata mori zgjidhje përmes një kompromisi të koalicionit të pakicave, si rezultat i të cilës u zgjodh kryeministri Dritan Abazoviç, është ky i fundit, i cili ka ndezur një klimë jo-miqësore mes popullit për shkak të një marrëveshjeje që qeveria e tij kërkon të nënshkruajë me Kishën Ortodokse Serbe.
Së fundmi, ambasadorët e vendeve evropiane në Podgoricë mësohet t’i kenë kërkuar qeverisë së Abazoviç të mos nënshkruajë marrëveshjen me Kishën Serbe, por të fokusohet te integrimi i vendit në Bashkimin Evropian. Vendet e unionit shprehin shqetësim se përmes nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverisë malazez dhe Kishës Ortodokse Serbe, qeveria e Abazoviç do të rrëzohej pas mocionit të mosbesimit nga partitë në koalicionin qeverisës, të cilët janë kundër kësaj marrëveshjeje. Me dhjetëra qytetarë protestuan para selisë së Qeverisë në Mal të Zi për të kundërshtuar marrëveshjen e paralajmëruar me Kishën Ortodokse serbe.
Protestuesit mbanin në duar pankarta të tilla si “Serbia po gllabëron Malin e Zi, do të jetë një luftë e vazhdueshme”, “Abazoviç, kishat na i morët me ligj dhe tani me marrëveshjen doni të na merrni ekzistencën dhe shpirtin”. Qytetarët valëvisnin flamuj kombëtarë malazezë, si dhe flamuj të BE-së dhe NATO-s.
Gjitahtu edhe n♪7 Shqipëri protestat të nxitur nga antiamerikanizmi dhe BE, kanë filluar si një mundësi të krijmit të një konflikti të brëndshëm për të destabilizuar vebdin.