Jetmira Dusha lindi në qytetin e Fierit më 4 prill 1955. Kontaktet me artin i ka që në moshë 8 vjeçare në shkollë e cila aktivizohej në recitim e nga ku vlerësohej me çmime të para. Duke patur këtë aftësi atë e dërgojnë nëpër kongrese të ndryshme, të rinisë, bashkimeve profesionale, të gruas etj, (ne fakt sëbashku me disa emra të tjerë që do të bëhen të njohur si aktorë, Sokol Angjeli, Zef Bushati).
Vazhdon shkollën e mesme pedagogjike në Tiranë pa u ndarë nga aktivizimi i ndryshëm artistik i recitimit. Me rastin e 40 vjetorit të kësaj shkolle, në mes shumë personaliteteve të ndryshme në këtë festë, ndodhej edhe rregjizori i mirënjohur Esat Okstrova. Jetmira bie në sy si një vajzë me vlera artistike dhe ftohet për tu paraqitur në Akademinë e Arteve për një provim. Jetmirës i pëlqente të vazhdonte në degën e gjuhë letërsisë, juridikun dhe arkitekturën, ndërkohë konkurrimi për aktore në këtë Akademi i erdhi krejt papritur.
Megjithatë në vitin e parë të konkurrimit, edhe pse ishte përgatitur shumë mirë, ajo nuk fiton por nuk shkurajohet duke frekuentuar pas kësaj një kurs për aktore pranë Teatrit. Vetëm pas një viti pune si aktore në Fier ajo do të kthehet në Tiranë përsëri, e kësaj rradhe si fituese në konkurrimin për aktore në Akademinë e Arteve. Pas përfundimit të Akademisë, në vitin 1980 fillon punën direkt si aktore e Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar). Në këtë fazë, ajo ka luajtur mbi 20 role.
Roli i saj i parë në Teatër do të jetë Dea ne “Tragjedia e fundit e Deas”, një rol episodik por që u vlerësua dhe u mor me mjaft seriozitet nga aktorja. Po atë vit, 1980 ajo do luajë edhe rolin e parë në filmin “Mëngjeze të reja” , një rol kryesor sëbashku me aktorin tjeter Kastriot Çaushi. Cilësia e aktores Jetmira Dusha ka qenë puna me seriozitet i roleve, pa dallim i madh apo i vogel, ajo ka ditur të futet në brendësi të tyre, ta interpretonte atë në mënyrën që të mbetej i paharrueshëm. Është dalluar gjithashtu edhe në gjininë e komedisë si tek komedia “Pas vdekjes” (1980), apo tek “Martesa e avokatit”, e “Valsi i Titanikut” ky i fundit fatkeqësisht i pa-xhiruar me rolin e saj aty.
Ajo interpretoi në 10 filma artistikë, ku tre janë rolet kryesore.
Mund të përmendim disa nga filmat ku ajo interpretoi dhe u dallua si tek “Mëngjeze të reja” (1980); “Kur xhirohej një film” (1981); “Ëndërr për një karrige ” (1984); “Gjurmë në dëborë” (1984); “Tre vetë kapërcejnë malin” (1988); “Shpresa” (1988); “Djali elastik” (1989). Në vitin 1990 ajo emigroi në Gjermani. Pas disa vitesh, u kthye nga mërgimi dhe filloi punë në Qendrën Kombëtare të Kulturës në Tiranë. Edhe pas kthimit në Shqipëri ajo nuk merr më pjesë në Teatër apo film, duke e ndjerë mungesën e skenës.