Sokol Angjeli (1955) Aktor. Lindi në Tiranë, më 30 qershor. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve, më 1976. Filloi punë si aktor në Teatrin Popullor, ku vazhdon edhe sot. Më 1986, kreu një kurs njëvjeçar për skenar dhe regjisurë në Institutin e Lartë të Arteve. Talenti i tij u shfaq ende pa nisur studimet e larta për aktor, në studion e ngritur pranë Teatrit Popullor, me rolin e vagabondit, Eliodor Pakut, në komedinë “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut.
Priret më së shumti nga gjedhët e humorit, satirës dhe komedisë, deri edhe me parapëlqimet ndaj groteskut, sikundër është parë kjo në komedinë “Mashtruesi” (shkrimtari, 1996), sado që jo rralle ka luajtur edhe role të natyrës dramatike e psikologjike, ku shihet një prani e brëndshme e ndjenjës së drejtpërdrejtë, sikundër e realizon me nivel këtë në rolin e Asllan Kapllanit në dramën “Korbi i bardhë” e Mihal Luarasit (2007), me të cilin shpërfaqi politikanin e korruptuar e të penalizuar, me rrezikshmëri të madhe shoqërore.
Ka një dinamizëm të shfaqshëm edhe fizikisht, me shpërthime të befta. Përdor lirisht sarkazmën, përtalljen, elementet e zmadhimit, por të shkrira në një sjellje e veprim të besueshëm. Veçori të tilla kanë rënë në sy në rolet më të mira të tij në teatër, si në shfaqjet: “Diell mbi kaster” e Fadil Krajës (Goni, 1977), “Njeriu që pa vdekjen me sy” e Viktor Eftimiut (Vagaabondi, 1978, rivënie), “Në katin e dytë është parajsa” (Bato, 1994) dhe “Buburreci” (Deni, 2006) të Ilir Bezhanit, “Njeriu, virtyti, kafsha” e Pirandelos (mesuesi, 2000), “Rrëshajet” (prifti, 2002), “Karnavalet e Korçës” e Spiro Çomorës (Loni, 2003), “Franku V” e F. Dyrrenamatit (afaristi, 2008), “Fishkëllimë në errësirë” e Tom Murphy (Mushi 2008).
Sokol Angjeli ka vënë në skenë si regjisor edhe disa pjesë, ku spikati me dramën “Beselam pse më flijojnë” të R. Qosjes, me nëntitull “Ura e sakrificës, në Teatrin Kombëtar të Gjilanit, Kosovë, më 2003 (fituese e Çmimit të Parë te “Flaka e Janarit” Gjilan) dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” në teatrin e Kërçovës në Maqedoni (2004). Ka realizuar disa projekte e bashkëpunime me TV, ku ka kryer rolin e regjisorit, recituesit, aktorit dhe konferencierit.