Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë ka pjesë të historisë shumëvjeçare, figura të shquara të qytetit. Një histori e suksesshme është ajo e aktorit, regjisorit, shkrimtarit, Andrea Pepi. Të gjithë korçarët e njohin Andrea Pepin që në vitet 1966, atëherë kur u ngjit për herë të parë në skenën e teatrit.
Mjaft interesante mund të konsiderohen jeta e karriera e Pepit, i cili në rini ishte i lidhur edhe me sportin e atletikës, por pa dashur, u përqafua edhe me aktrimin duke u kthyer në një nga aktorët më të famshëm të Korçës. Në një intervistë mjaft të veçantë, Andrea Pepi tregon për CNA TV, fillesat e tij në aktrim dhe peripecitë që kaloi prej viteve 1966 e deri në 1984. Rolet e tij të para, me karaktere të vështira, e kanë pikasur Pepin që në atë kohë, duke lënë mbresa te publiku artdashës.
“Unë në skenën e teatrit kam hipur në vitin 1966 me të madhin Sokrat Mio. Bëheshin takimet e shkollave, dhe ai më zgjodhi, megjithëse unë atë kohë merresha me sport, por u hodha dhe këtej si padashje.
Pas Sokratit, hyra në teatrin profesionist si i jashtëm, vazhdoja shkollën dhe sportin në garat e shpejtësisë. Vazhdova shkollën në 1969, dhe në 1972 shkova në Fier në teatrin e ri të Fierit, në të cilin punova 11 vjet. Më kujtohen regjisorët dhe dramat në të cilat punova me shumë pasion. Më kujtohet roli i parë me të cilin mora pjesë në ‘Takimin Kombëtar’ në 1976, me rolin e oficerit gjerman ku flisja vetëm gjermanisht.
Në atë dramë kam qenë edhe asistent regjisor i regjisorit Dhimitër Pecani. Më vonë mora pjesë në dramën shumë të njohur ‘Dy krisma në Paris’ me rolin e kryetarit të gjyqit. Është për t’u vlerësuar ajo dramë sepse u dha mbi 170 herë, i preku pothuajse të gjitha skenat e teatrit, vetëm këtu nuk erdhëm dot, pavarësisht dëshirës së madhe për të ardhur.
Më vonë erdha në teatrin e Korçës në vitin 1984, më kujtohet drama satirë, ku luaja një nga rolet kryesore dhe më vonë drama ‘Qyteti i akuzuar’ me rolin e një babai për të cilin spektatorët më pritën me shumë dashuri.”