Arben Dervishi (1963). Aktor. Lindi në Korçë, më 11 prill. Mbaroi studimet e larta në Akademinë e Arteve për aktor (1988) dhe fill më pas u emërua në Estradën Profesioniste të Korçës. Shpejt u bë nga aktorët që mbante një peshë të madhe në premierat e tij.
Ka luajtur mbi 100 role në skeçe e forma të shkurtra dramaturgjike për teatrin e varietesë, si në shfaqjet: “Pse të mos qeshim”, “Vesh më vesh”, “Si t’ia vemë emrin”, “Qyteti i ëndrrave”, “Na falni për vonesën”, “Ku e lamë fjalen”?
A. Dervishi është aktor energjik, operon me elementët e burleskut, por pa e përdhosur vërtetësinë dhe organicitetin e ndjenjës komike; ka aftesinë e krijimit të karaktereve të mëvetësishme: njerëz të rëndomtë, pijanecë, mashtrues, mburravecë etj.
Te skeçi Bosi e profesorja krijoi tipin e tregtarit qesharak e të pafytyrë, që ndonëse i pashkolluar, ishte pasuruar në udhë jo të ndershme. Karaktere të spikatura realizoi edhe në materiale të tilla humoristike si: “Gjykata e Kasacionit”, “Bishti i shqiptarit”, “Materniteti”, “Polici”, “Sokakët e të marrëve etj.
Në komedine “Jovan Bregu refugjat” (1998) të Adelina Balashit luajti rolin e Jovanit, tashmë në një situatë tjetër, veçse gjithnjë ai mburravec, parazit dhe rrenacak, veti të cilave autori u dha një formë të mprehtë humoristike duke luajtur me kundërveniet e shpeshta midis gjendjes reale të personazhit dhe të shtirurit, ndryshimit të beftë nga situata për t’i shpëtuar demaskimit, sikurse edhe manipulimit të fakteve, akraballekut etj.
Në komedinë “Zonjusha 39 vjeçe” e Saqellaresit interpretoi me hir komik rolin e Nikut, dhëndrit pretendent të ardhur nga Kontinenti, duke shfrytëzuar me zgjuarsi befasimet dhe replikat humoristike. Në produksionin televiziv Portokalli të Tv Top-Channel ka luajtur disa role, por spikati me banakierin. Në fillim te vitit 2000 emigroi në SHBA, por aktivizohet në Shqiperi me projekte të ndryshme here pas here.