Për Aishe e Zylfie Haklajn i akuzuari kryesor për vrasjen e vëllezërve dhe të afërmve të familjes së tyre është ish-kryeministri Sali Berisha.
Aishe dhe Zylfie Haklaj i kanë dërguar mesazhet e tyre për Sali Berishën. Njëzëri ato kërkojnë përballje me të në sallën e gjyqit, ndërsa drejtpërdrejt iu drejtuan ish-kryeministrit duke i thënë se nuk do t’i gëzojë paratë e bëra me gjak, sipas tyre.
“Kur të largohemi në atë jetë, në jetën tjetër e botën tjetër ne nuk do të marrim asgjë me vete. Ne do të marrim me vete një turp ose një dinjitet. Më mban dinjiteti dhe besoj se ai njeri do të marrë turpin me vete. Dhe ato para që i ka bërë me gjak nuk do t’i vlejnë atje në gropë. Ky është mesazhi që do t’i them atij njeriu fantazmë”, tha Aishe Haklaj për Berishën.
Edhe e motra, vajza tjetër e familjes Haklaj, Zylfia, kërkoi që Berisha të lërë të qetë të vdekurit dhe familjet e tyre.
“Unë jam e gatshme që të dorëzohem në autoritetet shqiptare nëse Sali Berisha do jetë në sallën e gjyqit dhe do pranojë të përballet me mua.
Kam një mesazh për Sali Berishën: Ti lëri të qetë të vdekurit dhe familjet e tyre dhe të distancohet nga çdo veprim i tij kriminal ndaj popullit shqiptar. Jo vetëm ndaj familjes time por ndaj gjithë popullit shqiptar. Jetoj për të dëshmuar për vëllezërit e mi, të afërmit e familjes sime që u bënë viktima të Sali Berishës”, tha Zylfie Haklaj në Top Story.