Nga Rudina Xhunga
Ka kaluar pa vëmendjen e shtuar, një ngjarje që duket sikur vjen nga larg, i përket një bote tjetër që nuk ka të bëjë me ne, sidomos një bote me probleme. Bëhet fjalë për katastrofën e përmbytjeve në Libi. Raportohet për rreth 20 mijë të vdekur, por nuk janë aq. Ka më shumë të vdekur, më shumë të zhdukur e më shumë shkatërrime, në një qytet me 100 mijë banorë. Kjo përmbytje katastrofike nuk erdhi befas, nuk erdhi pa lajmërim. Mund të mos kishte ndodhur, nëse gjërat do bëheshin ndryshe. Por pakkush i dha rëndësi gjëmës që pret te dera, kur e nënvlerëson dhe nuk merr masa.
Në Derna shpërtheu një digë. Ra një shi i papritur, një cunam shiu dhe ai mori me vete digën. Ishte një digë e pakontrolluar, e pasistemuar, jashtë vëmendjes, nuk e përballoi dot prurjen e madhe të ujit që erdhi për tre ditë shirash të tmerrshëm dhe shpërtheu. Bashkë me digën, u shkatërrua edhe një qytet. Ata ishin në gjumë, në orën 2.30 të mëngjesit, kur trupat e tyre, ujërat i morën nga krevatet dhe i vërvitën kudo, për të mos u gjetur më kurrë gjallë. Askush nuk i lajmëroi ata njerëz. Dhe nuk është thjesht çështje e natyrës, por e njeriut.
Në Norvegji, më 9 gusht të këtij viti pati një prurje të madhe uji, një prurje që ndodh njëherë në 50 vjet. Për fat të keq portat u bllokuan, pasi mungoi energjia elektrike. Por aty u shmang hataja e madhe që ndodhi në Libi. Norvegjezët i hodhën në erë portat, diga shpëtoi. Nuk i shpëtuan përmbytjes, ama shpëtuan jetët e 600 mijë njerëzve që u larguan në kohë, sepse u lajmëruan në kohë.
Por pyetja që bëjmë në raste të tilla, është; po ne? A jemi ne gati? Çfarë po ndodh me digat në Shqipëri? Unë e kujtoj mirë vitin 2002, kur Diga e Liqenit të Tiranës përmbyti gjithë Tiranën e Re. Befas u zgjuam një ditë dhe pamë ujë gjithandej. Dikush hapi portat e digës dhe u përmbyt Tirana. Para pak kohësh pyeta specialistin e digave, si u rregullua ai problem. Më thanë një gjë që më habiti, ai problem ende nuk është rregulluar. Më vjen keq që po e them këtë, por në rast se këtu do ketë prurje të mëdha, si në Libi e Norvegji, në përmbytemi dhe më keq. Duhet të flasim për këtë temë.
Në kohë me diell, flitet për shiun. Duhet të pyesim personat përgjegjës në institucionet përgjegjëse, çfarë është bërë me digën, a është e vërtetë që nuk është rregulluar ende problemi, apo diku është bërë diçka? A ka sirena që të paralajmërojnë njerëzit? Ka një mënyrë si organizohet emergjenca civile, si lajmërohemi në rast fatkeqësie. Duam të dimë nëse në Digën e Liqenit të Tiranës është rregulluar problemi që ndodhi në 2002-shin, apo mund të na përmbytë përsëri. A mund të ndodhë edhe këtu tragjedia e Libisë? Jemi të sigurt ne që jetojmë pranë Digës së Liqenit të Tiranës? Kjo është pyetja që unë kam sot ne Tregimin e Ditës!