Nga Enver Robelli
Këto ditë në Zvicër ngjalli debat rasti i një italiani. Gjykata Federale e Zvicrës e urdhëroi komunën Arth në Zvicrën qendrore që t’ia japë shtetësinë zvicerane shtetasit italian.
Në vitin 2017 kjo komunë refuzoi t’ia japë pasaportën e kuqe zvicerane italianit, i cili jeton qe 30 vjet në Zvicër, prej tyre 26 në komunën Arth.
Italiani u ankua në Gjykatën Federale kundër kësaj padrejtësie.
Dhe Gjykata Federale e miratoi ankesën e tij. Arsyet përse komuna Arth nuk ia dha shtetësinë italianit janë mjaft argëtuese. Italiani u akuzua se nuk ka njohuri të duhura mbi gjeografinë dhe kulturën e Zvicrës.
Për shembull: ai nuk e paskësh ditur domethënien e fjalës «Ländler» (valle popullore). Ai po ashtu nuk e paskësh ditur se në një park të kafshëve të egra në Goldau arinjtë dhe ujqit jetojnë bashkë në një torishtë.
Gjykatësit e Gjykatës Federale i hodhën poshtë këto akuza. Ata thanë: italiani e ka ditur domethënien e fjalës «Schwyzerörgeli» (harmonikë zvicerane), kjo mjafton sa i përket njohurive mbi muzikën popullore zvicerane. Për italianin po ashtu ka qenë i njohur parku i kafshëve në Goldau. Kjo dije, sipas gjykatësve, mjafton.
Është e tepërt që të kërkohet prej italianit nëse ai e di a flenë bashkë ujqit dhe arushat në një park kafshësh të egra. Më e tmerrshme se pyetjet absurde, ka qenë përpjekja e autoriteteve që italianit t’ia mveshin një vepër të paligjshme, e cila nuk ishte hetuar kurrë, e lëre më gjykuar.