Në janar të vitit 2019, Edi Rama e emëroi Dritan Agollin, drejtor të përgjithshëm të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Për 3 vitet e tij në detyrë nuk kanë munguar në media akuzat e shumta për shkelje të barazisë në tendera dhe favorizim të bizneseve.
Së fundmi janë intensifikuar sulmet e disa televizioneve ndaj tij, pasi nga valët e hidhura të eterit, ka ethe të jashtëzakonshme për ta çuar përpara SPAK, Dritan Agollin.
A është kjo një luftë tenderash? Nuk përjashtohet, pasi turizmi shqiptar, për çudi vazhdon të marrë leksione nga mediat dhe jo nga specialistët e fushës. Kujtojmë se opozita e ka akuzuar shpesh median shqiptare, se po vihet nën kontroll me tendera dhe në momentin kur prishen pazaret, televizionet fillojnë sulmin derisa arrihet një “marrëveshje e re”.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit tenderon në vit rreth 150 milion dollarë. Projektet e fondit të zhvillimit janë të shtrira në infrastrukturë e bujqësi apo edhe tendera, si menyja ushqimore e 100 fshatrave.
Gjithë këtë “pasuri” në duart e këtij institucioni, e vendos drejtorin në shënjestër nga të gjitha anët. Ai po hetohet nga SPAK për shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion, pasi më 27 Janar 2022, Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli fitues të tenderit 400 mijë dollarë kompaninë “Mascarpone” të Alfio Rotanit bashkë me personin fizik Endrit Maçi.
Sipas medieve, Alfio Rotani, rezultoi shef kuzhine në lokalin e djalit të kreut të Fondit, Dritan Agolli, Flladi Agolli.
Drejtori i Përgjithshëm i Fondit Shqiptari u denoncua edhe nga Partia Demokratike. Ai është kallëzuar për abuzim me tenderin e rikualifikimit të qendrës së Vlorës dhe është akuzuar se ka shpërndarë para tek kryebashkiakët socialistë për interesa elektorale.