Prokuroria e Posaçme do të nisë menjëherë hetimet ndaj Sali Berishës në rast se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vihet në dispozicion ndonjë material, apo e dhënë tjetër për përfshirje në korrupsion.
Deklarata është bërë nga kreu i kësaj prokurorie, Arben Kraja, që raportoi këtë të hënë në Kuvend për punën e SPAK përgjatë 2020.
“Ajo që unë garantoj çfarëdo indicie apo material që do vijë, që do jetë në dispozicion, padiskutim jemi të vendosur për të çuar deri në fund ndjekjen penale, qoftë edhe në bllokimin e pasurisë për çfarëdo që të vijë”, u shpreh kreu i SPAK.
Deklarata e tij u bë pas një pyetjeje të deputetit Ralf Gjoni, që vuri në dukje se Shqipëria është ndër të paktat vende ku SHBA ka shpallur non grata apersona që as janë hetuar dhe as janë dënuar në vend për korrupsion.
“Shqipëria është nga të paktat vende që nuk kanë pasur një hetim para se të shpalleshin ‘non grata’, veç Adriatik Llallës, emrat e tjerë janë të paproceduar.
Është domethënës që aleati ynë strategjik merr një vendim për të shpallur ‘non grata’ persona për të cilat nuk ka një hetim. A do të hapen hetime për këto persona?”, pyeti Gjoni.