Ditën e djeshme bota e sportit përjetoi një tragjedi të madhe!
Legjenda e basketbollit amerikan dhe e skuadrës LA Lakers, Kobe Bryant, ndërroi jetë pasi helikopteri i tij mori flakë.
Fatkeqësia u bë më e madhe, pasi u mësua se së bashku me të, udhëtonte edhe e bija 13-vjeçare Gianna, e cila gjithashtu ka ndërruar jetë së bashku me 8 persona të tjerë.
Në mesin e atyre që ndërruan jetë ishte edhe John Altobelli, një trajner bejsbolli, gruaja e tij Keri dhe vajza Alyssa. Trajnerja e basketbollit për vajza, Christina Mauser ishte gjithashtu në helikopter.
Lajmi i hidhëroi të gjithë, por ajo që ka barrën më të madhe, është bashkëshortja e Kobe.
Mediat e huaja shkruajnë se ajo u shkatërrua plotësisht kur mori vesh lajmin tragjik dhe gjendja e saj nuk është aspak e mirë.
“Zemra e saj u nda në mijëra copa”, shkruan “Hollywoodlife”.
Vanessa, përveç dhimbjes së madhe ka përgjegjësi edhe për kujdesin e tre vajzave, më e vogla prej tyre është vetëm 7-muajshe.