Piro Mani lindi në Korçë në 14 prill 1932 për t’u shquar si një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.
Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Më pas, për 25 vite punoi si regjisor dhe pedagog i shkëlqyer në Teatrin kombëtar dhe Akademinë e Arteve.
Me bashkëshorten e tij, aktoren më të bukur të kohës, Pavlina Mani, me të cilën u dashuruan që kur ajo ishte studente dhe ai pedagogu i saj, i lidhi një jetë e bukur profesionale dhe familjare, përherë mes rolesh, kinemasë dhe teatrit.
Ky artist i madh i skenës dhe ekranit, i arritjeve, i sukseseve, i çmimeve, i titujve dhe ndereve, ishte i çiltër në punën e tij profesionale, ishte emocional, entuziast, shpërthyes, i lumtur dhe i gëzuar, një regjisor i madh që e donte teatrin me shpirt.
Breza të tërë aktorësh dhe regjisorësh i janë mirënjohës punës dhe përkushtimit të Piro Manit dhe ia dedikojnë suksesin e tyre, kontributit të mjeshtrit të madh. Regjisori Armando Bora, e kujton kështu pedagogun dhe regjisorin Piro Mani:
“Profesor Piro ka qenë ndër të rrallët që nuk e ndante shtëpinë me skenën. Besoj se jo vetëm unë por edhe shumë student të tjerë janë ftuar në shtëpinë e tij dhe kemi fjetur. Ne në shtëpinë e tij vazhdonim diskutimet, provat. Gjithë familjarët e tij bëheshin pjesë e shqetësimit të provimeve tona. Pavlina, gruaja e tij ka marrë pjesë në shfaqjet tona si aktore. Kjo ishte një çudi e madhe për ne. Një suport dhe një gjë e veçantë ishte se Piro nuk dinte të bënte dallime. Ne ishim 11 vetë në grup dhe ai nuk bënte ndarje midis “këtij të talentuarit” dhe “këtij të patalentuarit”. Dhe kjo ishte padyshim një lloj aftësie e tij për të frymëzuar të gjithë, për t’i bërë që të ndiheshin mirë. Padyshim profesor Piro ka qenë ndër ata që nuk e ndërpritshin kujdesin për ty në momentin që të nxirrnin në jetë.
Profesori është larguar nga Shqipëria para shumë vitesh por ju siguroj se nuk ndodh produksion në Teatër, kur në një moment të caktuar, aktorët apo regjisorët të mos i referohen Piro Manit. Ai ka qenë prezent dhe unë them se ashtu ka për të vazhduar, me të njëtën mënyrë, me të njëjtin intensitet, brezat do të vazhdojnë t’i referohen këtij artisti të madh, por që mbi të gjitha ishte një njeri, një prind, një edukator, një artist me shpirt të madh që sa i ka dhënë artit i ka dhënë edhe njerzillëkut, i ka dhënë edhe qytetarisë së komunitetin e artistëve.
Janë elementë që për hir të së vërtetës, edhe kanë filluar të zbehen në realitetin shqiptar dhe kemi nevojë t’i kthehemi herë pas here këtyre figurave të mëdha që kanë sakrifikuar jetën dhe familjen e tyre për artin shqiptar”.
Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”.