gim Shuka (1942-1992). Aktor. Lindi në Kuçovë, më 8 prill. Pas mbarimit të shkollës së lartë për aktor “Aleksandër Moisiu”, më 1966, filloi punë si aktor në Teatrin Profesionist të Vlorës, duke u bërë një nga artistët më në zë të kësaj trupe.
Qysh në rolet e para spikati për aftesitë e tij në mishërimin e personazheve me mbartje dramatike e heroike, që vepronin energjikisht, me patos e temperament, por pa e zbehur vërtetësinë jetësore dhe thjeshtësinë e komunikimit.
Kjo u vu re në rolet e tij në shfaqjet “Lidhur si fishekë gjerdani”, “Jatagani”, “Udha e flamurit”, “Rruga Budi 723”, “Fytyra e dytë” etj. Në vitin 1986 filloi punë si pedagog i “Mjeshtërisë së aktorit” në Insitutin e Lartë të Arteve.
Në trupën teatrore të ketij instituti interpretoi disa role. Një nga figurat e tij mbresëlënse ishte ajo e Zenos në komedinë “Shi në plazh” të Teodor Laços, me të cilin portretizoi tipin e mblesit të moderuar, paksa snob e tuhaf, që e fshihte konservatorizimin e tij nën pamjen e intelektualit dhe njeriut të emancipuar e bashkëkohor.
A. Shuka ka luajtur edhe mbi 18 role në kinematografi. E nisi me një rol kryesor në filmin “Oshtimë në bregdet” (Dini); vijoi me filmin “Plage të vjetra” (Bashkimi); “Në fillim të verës” (Sandri) dhe më pas “I treti” (Gëzimi), “Vajzat me kordele të kuqe” (Mesuesi i letërsisë); “Ballë për ballë” (Komisari i bazës); ”Përtej mureve të gurta” (Doktor Xhema); “Vellezër dhe shokë” (Dania); “Nje ndodhi në port” (Inxhinieri i laboratorit); “Nëntori i dytë” ( Jani Minga); “Militanti” (Musai); “Taulanti kërkon një motër” (Gëzimi); “Të shoh në sy” (Zv/drejtori); “Enveri ynë”; “Rrethimi i vogël” (Shoku Faik); “Dy herë mat” (Shefi i policisë); “Telefon i një mëngjesi” (Dhimitri); “Treni niset në shtatë pa pesë” (Doktori); “Shkelqim i përkohshëm” (Shoku Lelo); “Nje djalë dhe një vajze” (Babai i Anilës); “Fletë të bardha” (Kryetari).
Ndahet nga jeta dhe nga familja e tij e dashur në vitin 1992 në mënyrë tragjike dhe që vrasja misterioze e tij nuk u zbulua kurrë.